• Shqip
  • English
  • E hënë, 16 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda Të gjitha TIP top

    Kristi nga Kashari/ Pse do marr autobusin çdo ditë?


    Po pres autobusin. Dhe koha kur presim autobusin është bekim për meditim. Një kohë e shkurtër që për çfarë nuk vlen. Unë marr kohë për të parë ç’ndodh rreth e rrotull, ç’bëhet me njerëzit pasi i kam patur sytë gjithë ditën në kompjuter. Është koha ime e preferuar. Shoh njerëz dhe marr reagime pa nevojën e një ekrani.

    Përballë kam një të moshuar me dy qese buke që i shtrëngon sikur ato të jenë garanti për të qënë gjallë të nesërmen. Asgjë më shumë.

    Ndërkohë në dorën tjetër mban qindarkat për të paguar biletën e transportit publik. Fytyra e tij nuk më thotë gjë. As lodhje, as kënaqësi. Thjesht mbijetesë.

    Në stol, pranë meje është një vajzë rreth të 25. Ka veshur një fustan të hollë dhe dridhet.(Koha të gënjen, i ftohti akoma nuk është larguar) Nxjerr telefonin për të humbur mendjen. Poston foton e radhës. Dhe mbikëqyr liket…

    Një burrë ecën sa lart poshtë. Duket i paduruar. Shan nën zë dhe shton ritmin e hapave, derisa urbani vjen dhe ai largohet.

    Disa vajza, të cilat duket që nuk e kanë vrarë mendjen për t’u veshur bukur për çunat e lagjes, kanë dalë me tuta dhe flokët të kapura shkujdesur lart. Po shkojnë në drejtim të kafenesë me karrige të bardha. Ulen jashtë dhe fillojnë të ankohen. Njëra për ditën e punës që nuk i lë hapësirë të bëjë gjërat që do, tjetra që nuk ka punë fare…

    Dhe vëmendjen ma marrin dy djem të vegjël rom që luajnë me një shishe uji si të ishte top.  Rrëzohen –ngrihen, qeshin- shtyjnë njëri tjetrin dhe pastaj përqafohen.

    Jeta është e larmishme, këtu e ka të bukurën. Kam dy javë që bëj punën që dua dhe nëse në punën e mëparshme si kamariere më duhet të tregohesha vigjilente për sjelljet e njerëzve, historitë e tyre, ndoshta edhe prej natyrës sime, tani më duhet të tregohem shumëfish më shumë vigjilente.
    Duhet të gjej diçka që më ngacmon te çdo fytyrë njeriu, të mendoj për atë që ai po mendon, të kuptoj sjelljen e tyre dhe ta pasqyroj.

    Më parë thjesht tregohesha e kujdesshme të isha e sjellshme dhe një dëgjuese e mirë për klientë që me kafen e mëngjesit apo një gotë darkave hapnin edhe ndonjë plagë të shpirtit. Ndërsa tani të dëgjoj nuk mjafton. Duhet të përpiqem t’i kthej ato në dëshmi realiteti siç ishte rasti i Jonës që shiste biskota.

    Ndoshta mund t’a keni parë por në vazhdimësi do të zbulojmë më shumë. Dua të them që kam nisur një rubrikë të re tek Tiranapost.al, My Tirana.

    Ka shumë që janë në dilemë nëse Kristi Gongo është apo jo Kristi nga Kashari. Ajo vajza jam. Por tek My Tirana do të më gjeni me mbiemrin tim. Në My Tirana personazhi i parë ishte Jona që shiste biskota, e cila më pas u ftua edhe në emisionin që drejtohet nga Turjan Hyska në Vizion Plus.

    Nga rastësi të vogla, nisin ndryshime të mëdha. Nuk e di nëse për këdo që shkruajmë mund ti ndryshojmë jetën por mjafton shembulli im për t’iu thënë se duhet ta provosh gjithmonë. Dhe ndoshta për këtë e gjej veten shumë në një rol shëtitës në Tiranë në kërkim të historive njerëzore sepse qytetin e bëjnë gëzimet dhe dramat tona. Online nuk mund të lexojmë vetëm “bullshit”. Dhe rasti i vogëlushes Jona ishte dëshmi se lexuesi tani është bërë selektues dhe kjo erdhi si lajmi i mirë në redaksinë tonë.

    Këtë javë do të kemi një tjetër histori. Është rastësi se edhe ajo është në të njëjtën moshë me Jonën por me një histori krejt tjetër. Dhe kushedi sa ka në Tiranë që unë nuk i di. A do t’i ndanit me mua? Në rast se po, ky është e-maili im: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690