• Shqip
  • English
  • E hënë, 16 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda Të gjitha TIP top

    Kristi nga Kashari/ Mami të lutem mos më bëj të ndihem keq, nuk është turp


    Ndërkohë vendin e njollave jeshile e zunë ato të kuqe. Kujtoj momentin e ardhjes së periodave. Ishte fundi i klasës së 8, isha ndër të vetmet vajza që menstruacionet u ishin vonuar. Dhe nuk isha e përgatitur.

    Mbaj mend kur isha e vogël dhe rrokullisesha në parkun e lojërave , pa e vrarë mendjen se do të bëhesha pis apo se do të vritesha. Kthimi për në shtëpi ishte edhe më moskokëçarës.

    Rrobat do të ishin bërë me baltë, ose do të kishte lënë njolla jeshillëku bari. Dhe gjatë gjithë kohës isha e kapur për dore nga prindërit, dhe askush nuk më shikonte me sy gjykues, sepse atëherë ma lejonte mosha. Kur arrija në shtëpi, edhe pse kisha gjithë ditën që luaja, nuk ndihesha e lodhur. Madje ishte mami ajo që më përkundte që të më zinte gjumi.

    Ndërkohë vendin e njollave jeshile e zunë ato të kuqe. Kujtoj momentin e ardhjes së periodave. Ishte fundi i klasës së 8, isha ndër të vetmet vajza që menstruacionet u ishin vonuar. Dhe nuk isha e përgatitur. Vendin e përkundjes e zunë shqetësimet. Isha tashmë zonjushë dhe duke u rritur kuptova që ne ndryshojmë, që gradualisht shkëputesh nga duart e prindërve dhe shqetësohesh. Po, edhe për njollat.

    Nga një vajzë shumë çapkëne, e shkathët fillova të tregoja kujdes për modelin e flokëve, për lyerjen e thonjve, për stilin e veshjes dhe kështu shoqëria e pati të lehtë të më pranonte. Sepse ndryshimi im në sjellje erdhi bashkë me orën biologjike. Por kjo nuk ndodh me të gjithë, domethënë gjërat nuk rrjedhin për të gjithë njësoj.

    Sot gjërat kanë ndryshuar, por e di që ka ende të rinj, në para adoleshencë apo edhe përgjatë që vuajnë përjetimin e ndryshimit të trupit të tyre dhe një kaosi të mundshëm midis asaj që duan të jenë dhe asaj që janë, apo më saktë mes asaj që janë dhe shoqëria pret që të jenë.

    Një shoqe më tregon për “momentin e njollosjes” që e ka pasur shumë të vështirë. Ka qënë e vështirë për t’u pranuar edhe nga e ëma. Fjalët që i tha kur pa gjakun në pantallonat e saj ishin: “Mos! E shikon? Tani më filluan problemet mua!” Dhe asaj i kishte ardhur turp. Ajo nuk e njihte trupin e saj dhe ndaj e nuk e pranonte.

    Problemi nuk është vetëm rrethi i madh shoqëror, por edhe rrethi i familjes. E shoh në veprimet e saj që ajo është paksa e ndrydhur. Dhe si ajo ka shumë. Pra, zgjedh të flas sot për këtë temë sepse për vajzat ky është një moment i rëndësishëm dhe nuk ka pse të kthehet në traumë. Është diçka që duhet të ndodh dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta përgatisim veten, ose më saktë të parët për këtë duhet të jenë prindërit.

    Do doja të mos ekzistonte asnjë prind që i dëfton fëmijës së tij se një fëmijë tjetër është më i mirë se ai, se ai mund të kthehet në problem për të dhe të mos pranojë rritjen e fëmijës së tij por ta dënojë për atë.

    Unë u bë kohë që mendoj se askush nuk ka pse të presë asgjë nga unë. Kurrkujt i detyrohem kurrgjë. Por do kisha dëshirë që këtë ndjesi, këtë mënyrë të qënuri, çdo prind t’ja mësonte fëmijës së vet që herët, që me hapat e parë.

    Ashtu siç i pranojmë etapat e jetës në heshtje dhe pa kundërshtim, ashtu do duhet të pranojmë edhe përjetimet e secilit për gjithçka që i përket.

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690