• Shqip
  • English
  • E hënë, 16 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda Të gjitha TIP top

    Kristi nga Kashari dhe shoqet me “Versace”


    Më ndodh shpesh që të pi kafen e mëngjesit vetëm. Aty në shkollë, para se të futem në mësim. Kjo ndodh pasi bashkëmoshatarët e mi janë ndarë në grupe, dhe para se të futen në auditor fotografojnë kafen e mëngjesit apo shoqërinë e tyre.

    Nuk dua të them që unë jam më e mira dhe dua të dukem ndryshe, apo se nuk e kam fotografuar ndonjëherë veten, por thjesht nuk gjendem rehat mes tyre. Çdo ditë e njëjta gjë. Foto të ndryshme, i njëjti make-up.

    Në mësim nuk ndryshon ndonjë gjë. Telefonat në dorë, edhe gati foto librave, duke u gjetur pozicionin më të mirë. Nëse dikush bën ndonjë pyetje për pedagogun, reagimet janë të çuditshme për të treguar që këto pyetje po na shqetësojnë.

    Ndonjëherë kur ndonjë vjen pasi ka filluar ora, justifikohen :
    – Më falni për vonesën, por me zor gjeta vend parkimi për X5-ën(apo çfarë do qoftë).
    Më pas ulën ku gjejnë ndonjë karrige që të bien në sy për të treguar xhupin Versace, takat Gucci apo çantën Hermes.

    Njëra me iPhone 7+ në dorë, i tregon shoqes foton me të dashurin që ka bërë mbrëmë tek Cavalli.

    -Isha tek Cinco Cavalli mbrëmë, zona Vip. E njeh i dashuri im menaxherin aty.
    – Jo, unë dje nuk dola dot. U zura me atë timin, më acaron kur nuk më kthen përgjigje në kohë. Po t’i pashë fotot, ishe bërë yll dje.
    – Po pse nuk më the mi , kishe ardhur me ne. Dje ishte i ftuar dhe Noizy.

    Kjo është një copëz bisede që e dëgjoj shpesh, vetëm se ndryshojnë personazhet. Ndaj, kuptoj që nuk ka rëndësi si ke kaluar dje, si kalon sot apo si do të kalosh nesër, rëndësi ka të jesh më mirë financiarisht se tjetri, të kesh të dashurin më të pasur se shoqja ( apo të dashurën më të bukur se shoku).

    Nuk ka asgjë të keqe të gëzosh të mirat materiale, por në një vend të vogël si Shqipëria, me një ekonomi nën mesataren dhe me bar-kafetë plot nga mëngjesi në darkë, nga vijnë gjithë këto të mira?

    Nga vijnë dhe kur nuk e dimë nga vijnë, si i reklamojmë? Nga buron kjo vetëkënaqësi e të rinjve shqiptarë për lukse që nuk janë djersë dhe punë e tyrja? Sa është e vërtetë një lumturi që vjen nga përfitime të cilave ti nuk ua ke ndjerë sakrificën?!

    Pra të gjithë këta shokë e shoqe rreth meje vetëm FLASIN! Flasin me foto, flasin me komente, flasin me inbox-e por nuk TREGOJNË!

    Askush nuk tregon asgjë.. nuk ka asgjë në këto postime që zanafillën e jetës e kanë vetëm disa sekonda përpara publikimit….askush nuk tregon asgjë. Ndaj askush nuk mbahet mend gjatë. Sepse kush nuk tregon, harrohet!

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690