• Shqip
  • English
  • E diel, 20 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Kristela, vajza me ide të qarta kristal


    Nga Klaudeta Skënderasi/A nuk e keni vënë re që ditë pas dite del nganjë shqiptar që po bën namin nëpër botë? Aty një Ritë, këtu një Ermal, aty një Dua e sa e sa të tjerë. Janë brezi i ri, fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të të ikurve që i sakrifikuan të gjitha e që po dalin në dritë e po shkëlqejnë fort. Ok, ne jemi pak më të prirur të shohim, njohim e ndjekim më shumë artistët, mbase sepse e kanë bujën më të madhe. Por të jeni të sigurt që kemi edhe nga ata yjet shqiptarë jashtë skenës e projektorëve të artit. Për shembull, në qendrën e Evropës, në Bruksel, një grup shqiptarësh po shkëlqen në politikë. Dhe ç’të shkëlqyer se. Një e nga një po kapin poste të rëndësishme e po bëhen pjesë aktive e politikës belge. Një ndër ta është Kristela Bytyçi, një vajzë e prerë për politikë, me temperament shqiptar e brumosje evropiane, që është akoma në hapat e parë, por që e ka marrë shumë seriozisht karrierën politike.

    Që në takimin e parë me Kristelën bindesh se ajo nuk të lëshon pa t’i thënë ato që ka ndër mend të të thotë dhe ti nuk bezdisesh aspak prej kësaj. E para, sepse e qeshura e saj është aq ngjitëse. Duket e lumtur sikur sapo është kthyer nga pushimet e jo nga një ditë e lodhshme fushate. E dyta, sepse ka një energji që ke kohë pa e hasur vërdallë në njerëzit e stresuar të shekullit tonë. E treta, sepse Kristela nuk të lodh fare duke e rrotulluar apo shtuar miell e ujë bisedës. Është e qartë, e përqendruar dhe nuk lodhet me zbukurime të kota.  Dhe e katërta, sepse kjo vajzë ka ide të qarta kristal. Është si një leksion shkundjeje për 30-vjeçarët e përhumbur që ende nuk dinë çfarë duan. Aaa Kristela, jo. E di mirë ajo se çfarë do. E ka ditur qyshkur, që kur ende pa mbaruar shkollën dëgjonte shokët e shoqet e klasës të mëdyshur për universitetin, të pavendosur për degën dhe drejtimin që do duhej të merrnin. Ajo nuk kishte fare dilema të tilla: do vazhdonte për shkenca politike dhe pastaj marrëdhënie ndërkombëtare. Pikë! Sepse ajo e kishte të qartë që në fillim se çfarë do bëhej. Pastaj një punë një Komisionin Evropian, aty dhe vetëm aty. Po kjo nuk është e thjeshtë? Ok, s’ka problem. Pritja dhe durimi nuk janë ndjesi as të panjohura e as të papranuara nga Kristela.

    (Videoja e prezantimit të Kristelës për fushatën zgjedhore të Parlamentit të Brukselit)

    “Në fillim nuk gjeja punë në institucionet e Komisionit Evropian dhe unë isha e vendosur që do të punoja veçse aty. Prita me durim derisa mbarova shkollën e masterin dhe u angazhova në partinë Mouvement Reformateur (MR), në fillim pak skeptike derisa gjeta hapësirat për të treguar idetë e mia në një terren aq të egër sidomos për gratë. Përgjatë tre viteve në MR kam organizuar evente, takime, konferenca (siç ishte ajo me eurodeputetët për t’i treguar botës të shkuarën e vështirë të Shqipërisë) dhe kam qenë aktive që nga dita e parë e deri tani që kam marrë përsipër të kandidoj për deputete në Parlamentin  e Brukselit. Pra, si çdo gjëje tjetër, edhe politikës i dola unë përpara dhe jo ajo mua”. Po puna që po priste, a erdhi? Sigurisht që po. Filloi punë në Komisionin Evropian por ndërkohë politika i ishte kthyer në nerv dhe as që bëhej fjalë të tërhiqej. Ajo beson në ideologji dhe është e bindur se liberalizimi është sistemi më i mirë politik.

    Në fushatë me Françoise Schepmans, MR

    Kjo është periudhë zgjedhjesh në Bruksel dhe Kristela është në kulm të fushatës për Parlamentin e Brukselit. Dita nis dhe mbyllet me takime nëpër qytet, me shpërndarje posterash e prezantim të programit të MR-së. “Është shumë më e thjeshtë kësaj here. Vitin e shkuar kandidova për zgjedhjet komunale. Nuk arrita të fitoj por ishte një eksperiencë që më tregoi se si funksionon fushata elektorale, kështu që kësaj here jam e përgatitur”.

    Ka qenë përherë kështu. Sepse i është dashur të përgatitet që e vogël, ende 8 vjeç, kur me familjen lanë Shqipërinë për të nisur një jetë të re në Bruksel dhe kjo është me siguri historia klasike déjà vu e çdo fëmijë tjetër shqiptar, që njëlloj si Kristela, ka jetuar në emigrim: gjuha që nuk e njihte, shkolla ku nuk kuptonte, qyteti që e hutonte, lufta për dokumente, pranimi prej vendasve e plot të tjera si këto, tek të cilat Kristela nuk ndalet gjatë, sepse betejën me paragjyimin “ti je shqiptare” e ka fituar që në fillim, edhe pse thekson që nuk ka qenë aspak e lehtë. “Imazhi ynë jo përherë i pastër do na përndjekë, nuk e ndal dot. Por unë nuk llogaris se çfarë mendojnë të tjerët ende pa më njohur, se ç’mendim mund të kenë ata për shqiptarët. Aq më mirë nëse më pyesin se përse kam një theks jo dhe aq të pastër të frëngjishtes. Aq më mirë nëse më thonë “Ou? Je shqiptare ti?”. Sepse më dalin tamam në shtegun që unë dua, që të filloj e t’u tregoj se kush jemi, si jemi, se ç’gjallëri kemi e sesa duhet që imazhi për ne të fillojë të ndryshojë, mes keqardhjes që ndjej përherë që Shqipëria nuk ka këtu në Bruksel një forcë të fuqishme lobimi. Megjithatë, na ka ne. Ne jemi publiciteti më i mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë”.

    Konferencë në Komisionin Evropian për krimet e komunizmit në Shqipëri,me Bujar Nishanin (në atë kohë president) dhe parlamentarin evropian Louis Michel

    Dhe janë vërtet. Kristela dhe të ngjashmit e saj, që kanë ndërtuar një jetë e karrierë tërësisht larg Shqipërisë, por dinë sesi t’i lidhin fijet që i mbajnë ende në vendin e lindjes, janë imazhi ynë i ri, që mesa duket vërtet po ndryshon dhe po pranohet. Këtë e tregon numri i lartë i kandidatëve shqiptarë në çdo zgjedhje dhe hapësirat e karrierës që ata kanë fituar në Belgjikë.

    Në konferencën e organizuar para pak ditësh nga Kristela me ministrin e Jashtëm të Belgjikës, Didier Reynders, mbi lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e Kosovë

    Kristela, edhe pse e angazhuar me fushatën, vazhdon ende të punojë në Komisionin Evropian dhe që të shkëputet nga politika as që e ka ndër mend. E ka me aq pasion, edhe pse është ende e re, veç 30 vjeç dhe nuk ka pamjen tipike të politikanëve që jemi mësuar ne të shohim. E shijon pa fund jetën, është aq e gjallë dhe e qeshur, ama nuk do ta ndërronte kurrë një orë politikë me një orë shopping nëpër dyqane duke blerë këpucë. E hedh këmbën pak më larg. Ju thamë, Kristela i ka idetë të qarta kristal/Tiranapost.al

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]