Aktualitet

Krishtlindje/ Një 2019 me shumë emra, disa i njohim disa jo dhe një mesazh për vitin që pret nga Bushati

Krishtlindje/ Një 2019 me shumë emra, disa i njohim disa jo dhe

Ditmir Bushati/

Krishtlindja dhe Vitit i ri na jep mundësinë që të jemi më pranë njëri tjetrit me familjet tona dhe njerëzit tanë të dashur. Teksa presim 2020 le të ndalemi për një çast tek viti që po lëmë pas. 2019 do mbahet mend gjatë për tërmetin shkatërrimtar, ku humbëm 51 motra e vëllezër, tërmet që la pas një mal tronditës me rrënoja, plagë, halle e sfida. Dhimbja e madhe na bëri bashkë e shpresoj të na ketë vetëdijësuar për të ardhmen.

2019 në kuptimin politik ishte viti i eksperimenteve të rrezikshme, çka pengoi potencialin tonë për të bërë më të mirën për Shqipërinë.

Këto zhvillime nuk duhet të na bëjnë pesimist, gjatë 2019 shumë shqiptarë spikatën me arritjet e tyre. Janë të shumta rastet e suksesit, të të rinjve dhe të rejave të talentuara burim frymëzimi për të ardhmen.

-Gjimnazistet Dea Rrozhani, Jonada Shukarasi dhe Arla Hoxha me aplikacionin e tyre ‘GjejZâ’ që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara na bëjnë të ndihemi krenar për vlerësimin ndërkombëtar që ata kanë fituar, por mbi të gjitha na mbushin me shpresë, se të rinjtë janë një garanci për një Shqipëri më të mirë.

-Albi Zhulali themeluesi i Soft Mogul, platforma e parë e lëvizshme për menaxhimin e hoteleve që së fundmi është bërë pjesë e Silicon Valley është një tjetër histori suksesi i të rinjve në sipërmarrje.

-Serena Leka, një projekt-menaxhere e spikatur e Universitetit  Aarhus në Danimarkë fitoi cmimin e parë në Kinë në fushën e inovacionit dhe Startup-eve për vitin 2019.

Diaspora është pjesë e pandarë e rrugëtimit të Shqipërisë në këto 30 vjet.

-Vasil Pema që jeton dhe punon në Suedi, këtë vit u bë mjeku i 27 në botë i specializuar në Trajtimin e Demencës.

-Arba Kokalari është shqiptarja e parë që u zgjodh këtë vit deputete në PE.

-Nik Gjeloshaj, me mbështetjen e shqiptarëve të Malit të Zi, për herë të parë fitoi drejtimin e komunës Tuz, tanimë me një status të pavarur nga Podgorica.

-Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e Artë në Lojërat Europiane në Minz në 2019. Edhe këtë vit djemtë dhe vajzat e talentuar të Kosovës, treguan se Arti dhe Sporti e ngriti lart e më lart e me dinjitet flamurin e Kosovës.

Viti që vjen hyn me këmbë të mbarë pasi Shqipëria për herë të parë merr drejtimin e një prej organizatave më të rëndësishme të sigurisë, OSBE-së me shtrirjen në tre kontinente, nga Vancuveri në Vladivostok.

2020 shënon fillimin e një dekade të re, një dekade e cila duhet shënjuar nga të tjera histori suksesi si këto, për të mbyllur tranzicionin e mundimshëm dhe për të jetësuar projektin e Shqipërisë Europiane. Gëzuar Krishtlindjet, Gëzuar 2020-ën. Na priftë e mbara./ Tiranapost.al. E.B