• Shqip
  • English
  • E shtunë, 24 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha Tech

    Krimi kibernetik, Shqipëria mes 4 vendeve më të rrezikuara në botë


    Shqipëria renditet në mesin e katër vendeve më të rrezikuara nga sulmet kibernetike. Këtë e thotë raporti vjetor i kompanisë ruse Kaspersky Security Network që ofron shërbime mburojë ndaj këtyre krimeve në mbarë botën.

    Sipas Buletinit të Sigurisë Kibernetike të publikuar një ditë më parë, vendet më të sulmuara kibernetikisht janë: Algjeria me 44.1 përqind, Nepali me 43 përqind, Shqipëria me 40.1 përqind dhe Xhibuti me 37.9 përqind.

    Një raport i vitit 2017 i publikuar nga Policia e Tiranës bëri me dije se bizneset shqiptare po bien shumë pre e mashtrimeve kibernetike. Nga viti 2015 deri në vitin 2017 u regjistruan 50 raste mashtrimi me një vlerë totale prej 2.5 milionë euro.

    Sipas specialistëve të krimit kibernetik, piratët e internetit hapin adresa të ngjashme me biznese të caktuara, duke ndryshuar karaktere të vogla në adresën e emailit dhe duke mashtruar marrësin të depozitojë para në adresën e blerësit.

    Shënjestrës së skemës së mashtrimit i jepen të dhëna të rreme dhe një adresë bankare ku mund të bëjë pagesën.

    Ekspertët rusë të Kaspersky thonë se përdoruesit e telefonëve, tabletëve dhe laptopëve shqetësohen më shumë për sigurinë e jashtme të pajisjeve në fjalë sesa për mbrojtjen nga krimet hibernetike.

    Vetëm nga Prilli deri në Qershor, ekspertët e Kaspersky kanë identifikuar dhe bllokuar plot 13 milionë sulme të tilla.

    Departamenti amerikan për Sigurinë Kombëtare Jonathan Homer paralajmëroi më herët se fusha e sulmeve kibernetike me qëllime keqdashëse është zgjeruar ndjeshëm dhe askush në botë nuk është imun ndaj tyre.

    Një prej shembujve më të bujshëm të këtyre krimeve vjen nga Korea e Veriut. Mediat amerikane tregojnë se kjo e fundit ka arritur të mbledhë diku nga dy deri në tre miliardë dollarë nëpërmjet këtyre sulmeve për të financuar programin e saj të armatimit.

    Si të mbroheni nga sulmet kibernetike

    Kriminelët e botës së rrjetit vjedhin llogari bankare, identitete por edhe institucione të tjera duke vjelur një mal me para nëpërmjet shantazhit, mashtrimit dhe ngacmimit.

    Nëse kompjuteri juaj është i ngadaltë dhe jep gjithnjë mesazhe ‘errori’ atëherë duhet të tregoni kujdes sepse ka marrë një virus të dëmshëm nga i cili vjen një e keqe e madhe.

    Një tjetër metodë e mashtrimit dhe krimit hibernetik është adresa elektronike në të cilën vijnë mesazhe që kanë si qëllim marrjen e të dhënave personale dhe fjalëkyçeve.

    Për pasojë, ekspertët këshillojnë që të mos i hapni kurrë mesazhet që ju vijnë nga adresa të panjohura.

    Ekspertët këshillojnë që të mos shkarkoni asgjë në internet nga burime të pasigurta.

    Ata thonë që të mos klikoni asnjëherë në mesazhe që ju vijnë në adresë nga njerëz apo kompani të panjohura, për më tepër nëse në brendësi të tij u kërkohet të klikoni diku.

    E fundit, por jo për nga rëndësia është që të mos jepni kurrë të dhënat personale ose fjalëkyçet./ Tiranapost.al