Aktualitet

Krime nga Vlora në Itali, kush është 30-vjeçari

Policia e Vlorës ka arrestuar një 30-vjeçar të dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh dhe grabitjesh të dhunshme të ndodhura në këtë qytet, por edhe i dënuar në Itali për vrasje.

Klejvis Gjatari dyshohet se është autor i disa grabitjeve të armatosura, ku në më shumë se një rast ka tentuar të vrasë viktimat e tij.

Ai dyshohet se në tetor të vitit të kaluar është autor i plagosjes për motive të dobta shtetasin me inicialet F.M., ngjarje e ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia”.

Po në këtë periudhë, 30-vjeçari Gjatari dyshohet gjithashtu si autor i grabitjes në bashkëpunim me dhunë të shtetasit F.M., në zonën e Ujit të Ftohtë. Në bashkëpunim me shtetasin O. Shehu, Gjatari ka kërcënuar me armë dhe i kanë marrë me dhunë këtij shtetasi mjetin tip “Audi”.

Kush është Klejvis Gjatari?

Në vitin 2012 ai është larguar nga burgu i Kavajës, ku vuante dënimin për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Për këtë arratisje, gjykata vendosi në mungesë dënimin me 4 vite e 10 muaj burg për të.

Në maj të 2016, në zonën e njohur si “Plazhi i Ri”, në bashkëpunim me shtetasit D. Rrapaj dhe A.Gjatari ai ka marrë peng shtetasin Y.K. duke e kanosur atë me armë zjarri.

Në dhjetor të 2016, sërish në zonën e Ujit të Ftohtë dhe sërish në bashkëpunim me persona të tjerë, Gjatari ka marrë me dhunë automjetin tip Benz të shtetasit V.F.

30-vjeçari figuron person me precedentë kriminalë dhe penalë në shtetin italian për veprën penale të "vrasjes". Nga hetimet e kryera, rezulton se për t’iu shmangur drejtësisë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, ky shtetas ka përdorur disa gjeneralitete të tjera si, Erion Gjatari, Eri Gjata dhe Erion Sula.