Aktualitet

KQZ shtyn afatin për regjistrimin e partive për zgjedhjet e 30 qershorit

KQZ shtyn afatin për regjistrimin e partive për zgjedhjet e 30

Tashmë është zyrtare, afati i fundit për t’u regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit është e marta e 23 prillit. Anëtari i KQZ, Bledar Skënderi ka deklaruar se duke qenë se skadimi i afatit ligjor për regjistrimin e partive në zgjedhjet lokale përkon jo vetëm më pushim zyrtar të administratës së KQZ, por edhe me të dielën e Pashkëve, subjektet politike do kenë dy ditë më shumë kohë për t’u bërë pjesë e garës.

“70 ditë para datës së zgjedhjeve që i bie data 21 Prill është afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do marrin pjesë në zgjedhje, por meqë është ditë e diel i bie të regjistrohen ditën e parë të punës që është data 23 prill, e martë”, tha Bledar Skënderi anëtar i KQZ.

Skëndëri deklaroi se afati për regjistrimin e koalicioneve është 2 maji, ndërsa 13 maji është afati I fundit për dorëzimin e kandidatëve.

“Afat tjetër i rëndësishëm është afati i krijimit të koalicioneve, 60 ditë para datës së zgjedhjeve, partitë që duan të krijojnë koalicion parazgjedhor duhet ta depozitojnë pranë KQZ në datën 2 maj. Afat tjetër më rëndësi është afati për regjistrimin e kandidateve që është afati 13 maj”, sqaron Bledar Skënderi anëtar i KQZ.

Opozita politike nuk ka marrë ende vendim për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërsa opozita e re ka deklaruar se është kundër bojkotit. Rudina Hajdari do të krijojë një parti të re dhe pritet të regjistrohet në KQZ të martën. Deri më tani janë regjistruar në KQZ 33 parti, ku 5 janë aleatë të Bashës./Tiranapost/A.C

http://www.tiranapost.al/lista-deri-tani-33-parti-do-marrin-pjese-ne-zgjedhjet-vendore-5-jane-aleate-te-bashes/