SPORT

Kovac jep lajmin e mirë për tifozët e Bayern

Kovac jep lajmin e mirë për tifozët e Bayern

Kapiteni i Bayern Mynih, portieri Manuel Neuer, është gati të luajë dhe të premten pritet të jetë në fushë në ndeshjen që kampionët e Gjermanisë do të zhvillojnë ndaj Augsburg, në derbin bavarez. Portieri është dëmtuar dy javë më parë, në dorën e djathtë (në gishtin e skiatorit), por këtë javë është stërvitur rregullisht dhe nesër mund të jetë titullar.

Lajmin e madh për fansat e Bayern e dha trajneri Niko Kovac, që rikuperon një element të rëndësishëm në prag të sfidës me Liverpool, javën e ardhshme në Champions League. “Manuel nuk ka më dhimbje dhe mund ta hedh titullar në fushë ndaj Augsburg”, u shpreh Kovac për mediat, në konferencën për shtyp.

Neuer nuk ka luajtur në 3 ndeshjet e fundit në kampionat. “Në këto 3 ndeshje ka qenë portieri ai që ka vendosur të mos luajë. Është Neuer ai që e ka thënë fjalën e fundit. Tashmë ai është gati. Ndeshja ndaj Augsburg do të shërbejë si një test për të në prag të sfidës në Champions ndaj Liverpool. Në rast se do të ketë probleme, atëherë do të luajë sërish Sven Ulreich”, tha Kovac./XH.K