Aktualitet

Kosova përgatitet për zgjedhjet e 11 qershorit

Në Kosovë kanë nisur përgatitjet e Komisionit Qendror për zgjedhjet e parakohshme që u caktuan të mbahen në datën 11 qershor, datë kjo e zyrtarizuar dje nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka ka njoftuar për mbledhjen e institucionit që drejton, ajo theksoi se do t’i dërgohet ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare për të vëzhguar zgjedhjet.

Këshilli për Buxhet dhe Prokurim i KQZ-së ka miratuar fondin prej 5 milionë eurosh për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

Pritet tashmë që partitë të aplikojnë për tu regjistruar në KQZ, të hartohet lista e votuesve, regjistrimi dhe akreditimi i vëzhguesve dhe pasqyrimi i medieve.

 “Afati i fundit për aplikim të subjekteve politike është data 18 maj. Kurse periudha e certifikimit të listës së votuesve është 1 qershori, periudha e publikimit të listës së qendrave të votimeve është 15 maj.

 Këshilli për Operacione Zgjedhore ka rekomanduar se periudha ose fushata parazgjedhore të zgjasë afro 10 ditë”, sipas njoftimit nga zyrtarët e KQZ. E.B