• Shqip
  • English
  • E hënë, 19 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Kontroll mjekësor falas për të gjithë të dënuarit


    Të gjithë të dënuarit në institucionet penitenciare të Shqipërisë do të kenë mundësi të kryejnë kontrolle falas.

    Programi për ofrimin e kontrollit bazë mjekësor falas është prezantuar sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu së bashku me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

    Nga burgu i grave në Tiranë, Manastirliu theksoi se pavarësisht vendit apo gjendjes në të cilën ndodhen, të gjithë të dënuarit që i përkasin moshës 35-70 vjeç do të kryejnë kontrollin mjekësor bazë falas.

    “Kemi filluar në ditën e parë të këtij programi, për të ofruar kontrollin mjekësor bazë për grupmoshën 35-70 vjeç i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, sipas një kalendari të planifikuar dhe ajo çfarë është e rëndësishme është se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është afër çdo komuniteti, çdo grupi në nevojë. Qëllimi ynë është për të mos lënë askënd pas dhe për të ofruar kujdes shëndetësor bazë”, deklaroi Manastirliu.

    Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se ky është një program që do të vijojë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

    “Sot kemi filluar një proces për herë të parë në institucionet penitenciare që Ministrja e Shëndetësisë iu përgjigj thirrjes së Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të kryer check-up të gjitha të paraburgosurave dhe të dënuarave të kategorisë 35-70 vjeç”, tha Gjonaj.

    Janë 2200 të dënuar dhe të paraburgosur që do ti nënshtrohen kontrollit bazë mjekësor në rang vendi nga 5400 të dënuara në total.

    Gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2019 janë 73 mijë gra të grupmoshës 35 – 70 vjeç që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë ose 60.7 % e qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor janë gra. Kontrolli Mjekësor Bazë nëpërmjet ekzaminimeve specifike, ka ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve kronike dhe zbulimin e hershëm të tyre, që do të thotë përfitim në diagnozë të saktë, në jetëgjatësi dhe në cilësi jetese./Tiranapost