Aktualitet

Kontakti nuk ka më rëndësi, tani në rrjetet sociale emocionet përhapen si epidemi

Emocionet janë të ngjashme me një epidemi: mund të ngjiten me shpejtësi jo vetëm nëpërmjet fjalëve dhe gjesteve, por sidomos nëpërmjet rrjeteve sociale. June Gruber, studiuese pranë Universitetit të Kolorados, shpjegon se si përçimi emocioneve ndikon në gjendjen tonë shpirtërore dhe deri ku kanë arritur studimet shkencore deri më tani.
Kontakti nuk ka më rëndësi, tani në rrjetet sociale

Nga June Gruber/ Emocionet janë ngjitëse: përçohen me shpeshtësi, me shpejtësi dhe hera-herës në mënyrë automatike nga një individ te tjetri. A bëhet fjalë për mahnitjen që ndihet kur shihet një hënë e plotë e cila përçon gjithë fuqinë e saj apo për nervat që të ngrihen kur bëhesh pjesë e një padrejtësie raciale, një element qëndron në plan të parë: “të marrësh” emocionet e të tjerëve jo vetëm që është e mundur, por edhe na ndodh shpesh. Ideja që emocionet janë ngjitëse daton që prej mesit të shtatëqindës kur Adam Smith dokumentoi njëtrajtshmërinë me të gjithë ata që tentojmë t’u imitojmë shprehitë, gjestet e madje edhe shqiptimin e fjalëve. Në fund të tetëqindës, Charles Darwin do t’i japë edhe më shumë rëndësi natyrës ngjitëse të emocioneve si bazë për mbijetesën e qenieve njerëzore dhe jonjerëzore, duke qenë se lejon përçimin e informacioneve jetësore mes anëtarëve të të njëjtit grupim. Këto vrojtime profetike theksojnë se përçimi i emocioneve është depërtues dhe universal, e pikërisht për këtë arsye duhet t’i kuptojmë më mirë.

Studimet e fundit shkencore mbi ngjitjen e emocioneve shpjegojnë se në ç’mënyrë ndikohemi dhe se si ndikojmë tek emocionet e të tjerëve. Fenomeni është fortësisht i konfirmuar edhe nga studime laboratorike në të cilat studiohen pjesëmarrës me emocione tranzitore, si pozitive ashtu edhe negative. Nga ana tjetër, puna jashtë laboratorit përqëndrohet më shumë në gjendjet emotive më afatgjata, si për shembull lumturia e vetëdeklaruar që propagandohet në rrjetet sociale. Ngjitja e emocioneve është shumë e rëndësishme sepse i shërben proceseve substanciale si empatia, lidhjet sociale dhe përkujdesja e ndërsjelltë në një lidhje intime.

Ekziston një ndërlidhje mes çrregullimeve emocionale dhe përçimit të emocioneve të dëmshme dhe sot me përhapjen e shpejtë të rrjeteve sociale si skena parësore e shprehjeve emotive, kemi kuptuar se kjo lloj ngjitje mund të kryhet edhe në mungesë të sinjaleve emotive jo-verbale të fytyrës dhe të trupit. Kjo lloj “epidemie” zgjerohet në një masë të madhe edhe nga fenomene të tjera psikologjikë që në mënyrë direkte ose indirekte, lidhen me sjellje si mirësia, zakoni i të ngrënit shëndetshëm apo edhe me anët më të errëta të veprimeve tona si dhuna dhe racizmi. Pra, ngjitja emocionale është e rëndësishme në të mirë e në të keq.

Përsa i përket anës shkencore të këtij fenomeni, edhe pse i dokumentuar mirë ia vlen të zgjerohet fusha e studimeve. Ekziston ende një territor i pazbuluar ku kolegët e mi Nocholar Christakis, Jamil Zaki, Michael Norton, Ehsan Hoque dhe Anny Dow po kërkojnë të eksplorojnë më shumë përsa i përket emocioneve pozitive. Mund të duket e çuditshme, por dimë shumë pak mbi dinamikat e përkohshme të eksperiencave tona të kënaqshme, duke përfshirë edhe ato që na duken se na lidhin me të tjerët si gëzimi apo keqardhja në krahasim me ato që nga pikëpamja sociale mund të na izolojnë siç janë mendjemadhësia dhe arroganca. Emocionet pozitive kanë një rëndësi të pashoq në mirëqenien tonë fizike dhe mendore, ndaj ka rëndësi të zbulojmë më mirë mënyrat e përçimit të gjendjeve shpirtërore të kënaqshme brenda dhe jashtë grupimeve shoqërore. Ashtu si valët, emocionet përhapen në kohë dhe hapësirë gjeografike, e megjithatë, aftësia e tyre për t’u derdhur në mendjen e njërit apo të tjetrit është e ndryshme./ E specializuar në kuptimin e emocioneve njerëzore, lumturisë dhe sjelljeve psikopatike, June Gruber mban gradën PhD dhe zhvillon punën e saj akademike dhe kërkimore pranë Universitetit të Kolorados. Shkrimi u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al