Aktualitet

Konsulta Online për pacientët me diabet

Konsulta Online për pacientët me diabet

Të gjithë pacientët që marrin me rimbursim mbi 8 pena insulinë në muaj, nuk do kenë më nevojë të vijnë deri në Tiranë për të përfituar rimbursimin falas. Në vend të kësaj, përmes Telemjekësisë, konsultat do kryhen në spitalet rajonale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ndoqi nga afër konsultat online në qendrën e Telemjekësisë në QSUT nga ku sqaroi se nëse më parë pacientit i duhej të vinte nga Korça apo Shkodra në Tiranë për të kryer konsultën e specializuar për vijimin apo ndryshimin e trajtimit me insulinë nga 8 deri në 12 pena në QSUT, duke shpenzuar para dhe kohë, falë Telemjekësisë pacienti e merr trajtimin në kohë në spitalin rajonal, pranë shtëpisë përmes konsultës online nga mjeku specialist në QSUT pa qenë nevoja për tu paraqitur fizikisht.

Ministrja theksoi se konsultat online mbi trajtimin terapeutik dhe sasinë e penave të insulinës nga 8 deri në 12 pena në muaj, që kryhen nga mjeku endokrinolog në QSUT dhe mjeku endokrinolog në spitalet rajonale, nëpërmjet telemedicinës, në prezencën e pacientit, i shërbejnë edhe edukimit në vazhdim dhe trajnimit të mjekëve në spitalet rajonale.

Mbi 340 pacientë e kanë marrë shërbimin afër vendbanimit, pa pasur nevojë të regjistrojnë datën për konsultë dhe më pas të merrnin firmën dhe vulën në QSUT për të përfituar penat e insulinës falas, kur bëhej fjalë për mbi 8 pena insuline. Janë mbi 32 mijë pacientë që trajtohen me insulinë në rang vendi, e cila rimbursohet 100% nga shteti./ Tiranapost.al. E.B