Aktualitet

Komisioni i Venecias kritikon ligjin për pronat: Ka pasaktësi, rishikoni dhe zbatoni këto rekomandime

Komisioni i Venecias kritikon ligjin për pronat: Ka pasaktësi,

Qeverisë shqiptare i jepen disa rekomandime dhe propozime për disa korrigjime në projekt/ligjin për pronat. Komisioni i Venecias ka bërë publik opinionin paraprak ndaj ligjit të pronave, ku shprehet se projektligjit në versionin aktual i mungon qartësia dhe saktësia për shkak të mungesës së përkufizimeve dhe fuqisë rregulluese nga Këshilli i Ministrave, mungesës së hapave themelore proceduriale dhe afateve të përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve.

Komisioni shprehet përmes draftit: "P/ligjit në versionin e tij aktual i mungon qartësia dhe saktësia për shkak të mungesës së përkufizimeve dhe fuqisë rregulluese shumë të gjerë për Këshillin e Ministrave, mungesës së hapave themelorë procedurialë dhe afateve të përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve. Ekziston një rrezik i lartë që p/ligji të mund të krijojë probleme pajtueshmërie me nenin 1 të Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe dispozita të tjera, si dhe me Kushtetutën shqiptare. Në veçanti, Nenet 7 dhe 9 të p/ligjit janë në thelb të paqarta dhe të pasakta, prandaj mbajnë një rrezik të lartë që zbatimi i tyre do të çojë në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut".

Kujtojmë se ishte kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i cili ftoi delegacionin për të dhënë një mendim nëse nenet 7 dhe 9 binin ndesh me të drejtat e njeriut, dhe pikërisht në këto nene ‘Venecia’ kërkon ndërhyrje pasi evidentohen probleme.

Komisioni shprehet në raport se është vënë në dijeni edhe për problemet e zbatimi të ligjit të vitit 2015 për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Konkretisht: "Anëtarët e delegacionit krijuan përshtypjen se edhe pse kthimi në natyrë (i tokës në pronësi të mëparshme) është parashikuar në ligj, edhe kur ka qenë e mundur, institucionet përgjegjëse do të zgjedhnin më shumë opsionin e kompensimit, duke mbajtur shpesh tokën në dispozicion si pronë e shtetit për t'u përdorur për programet shtetërore".

Ky raport-opinion pritet të miratohet me datë 11 tetor, në sesionin plenar të Komisionit të Venecias, ku do jenë të pranishëm Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe kreu i Kadastrës Artan Lame.

Të përmbledhura, disa nga rekomandimet e Komisionit të Venecias, janë këto:

• Përcaktoni natyrën deklaruese të aktit të regjistrimit të titujve, veçanërisht AMTP, në projektligj.

• Të rishikojë nenet 7 dhe 9 dhe artikujt në lidhje me to, duke marrë parasysh që titujt bujqësorë në formën e AMTP si dhe përdorimi i vazhdueshëm i tokës me shpresën e ligjshme për t'u pajisur me AMTP përbëjnë pronë të mbrojtur sipas nenit 1 të protokollit 1 të KEDNJ.

• Të përcaktojë në vetë p/ligjin mangësitë që parandalojnë vërtetimin e AMTP-ve, si dhe të kufizojë hapësirat rregulluese në dispozion të Këshillit të Ministrave në nivelin strikt të domosdoshëm.

• Të parashikohen në p/ligj afate të sakta për mbajtësit e titujve dhe hapat themelorë procedural, veçanërisht kur lidhen me transferimin e titujve të pronave bujqësore.

• Të përfshijnë në p/ligj përcaktimet thelbësore për titujt e pronave bujqësore.

• Të përcaktohen në p/ligj rregullat për paraqitjen e provave, aksesin në prova dhe të drejtën për t'u dëgjuar para vendimit të autoriteteve për të shpallur të pavlefshëm AMTP.

• Të zhvillohen konsultime publike me të gjitha palët e interesuara. LInku i plotë i raportit nga Report Tv këtu. / Tiranapost.al. E.B