Aktualitet

Komardarja ‘Babale 2’ dhe faktet që e shfryjnë atë

Komardarja ‘Babale 2’ dhe faktet që e shfryjnë atë

Nga Flogert Muça/ Çështja e Babales ka marrë përmasat e një skandali jo vetëm për faktin se e gjitha ishte një inskenim i paguar shtrenjtë nga opozita për të rrëzuar qeverinë, por edhe sepse deputeti Salianji e vazhdon si histori me një tjetër video, po aq qesharake sa e para.

Që prej ditës që kanë dalë tabulatet e telefonike mes dy aktorëve nga TCH, deputeti i Bashës  është lënë vetëm në një luftë që deri dje ishte e gjithë Partisë Demokratike. I ftuar te Eni Vasili, Salianji dukej i tensionuar dhe aspak rehat. Edhe mbrëmë në Opinion poashtu ai dukej në ankth, pasi Partia Demokratike nuk i ka dalë në krah dhe e ka lënë në një luftë me drejtësinë krejt të vetëm. Dhe ai e di që në këtë betejë nuk mund të dalë i fituar, sepse e di mirë të vërtetën e Babales, ndaj edhe po bën çdo përpjekje për të shpëtuar, duke krijuar të tjera skenare si i pari, që të fitojë sa më shumë kohë.

Por, a e di Salianji që sa më shumë prodhon pseudongjarje, aq më shumë fajëson veten? A i ka thënë njeri deputetit të Bashës se gjithçka nxjerr ai, pas zbërthimit të Babale 1, është e pabesueshme qoftë edhe nga fakti që aktorët janë të njëjtë?

Pse videoja e mbrëmshme nuk kishte asnjë fije besueshmërie?

Së pari kemi të bëjmë me ca gjëra të thjeshta logjike që e bëjnë video përgjimin e dytë të pabesueshëm. Që në momentin që videoja bie sërish ‘rastësisht’ në dorë të Salianjit, historia mban erë. Edhe po ta  marrim të mirëqenë se Salianji është ëngjëlli mbrojtës i popullit, ajo që e rrëzon videon është fakti se si në videon e parë edhe në të dytën, aktorët janë të njëjtë. Nëse në të parën ishte Babalja, Alfredi dhe Salianji, në të dytën ishte Alfredi dhe Salianji.

Ku kërcet historia?

Si Ervin Salianji edhe Alfred Alizoti janë në hall. Të dy (Alfredi në burg dhe Salianji krejt i vetëm drejt asaj rruge) duan të zgjidhin hallet ku janë futur, ndaj nuk është se e kanë shumë problem që të bëjnë edhe 100 video të tjera që të shpëtojnë sa të munden veten. Dhe në fund të fundit po ta shohësh në aspektin e dy njerëzve në hall, nuk kanë faj. Ata duhet dhe do të luajnë lojën e tyre deri në fund, secili për të shpëtuar veten, por Prokuroria nga ana e saj duhet të zbardhë dhe tregojë shqiptarëve njeherë e mirë të gjithë të vëretën e kqtij telefilmi.

Por përtej analizës ka edhe disa fakte që ndajnë njëherë e mirë sharpin nga sheqeri mbi videon e re, e cila po shihet si komardare shpëtimi për një deputet dhe dy ‘aktorë të etur për para.

Fakti i parë që rrëzon video-komardaren e Salianjit është regjistrimi i Prokurorisë që tregon qartë se në bisedat midis tyre, Babalja dhe Alizoti pranojnë se u janë ofruar nga 100 mijë euro për kokë, për rolin e luajtur.

Fakt tjetër është në regjistrimin e siguruar nga Prokuroria, ku vetë Alizoti pranon me gojën e tij se ka luajtur rolin e vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Fakti tjetër ku hyn në valle dhe Salianji është se kontakti i tyre me PD është në çdo rast ai, i cili ka qenë personi që i ka lidhur më pas me gazetarin Jetmir Olldashi dhe jo siç u pretendua fillimisht që ishte gazetari që i çoi tek PD. Këtë e dëshmojnë 14 telefonatat direkte, të siguruar nga tabulatet e Prokurorisë.

Kaq mjafton për të kuptuar se videoja e dytë e transmetuar mbrëmë është asgjë më shumë se një komardare shpëtimi për të dy palët (Alizoti-Babale dhe Salianji), të cilët i bashkon edhe fakti që janë totalisht të vetëm në betejën që deri dje ishte edhe e PD-së./Lexo.al