• Shqip
  • English
  • E hënë, 14 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    Kolë Idromeno dhe dështimi im (ndoshta) më i madh


    Kam dashur gjithmonë, dhe deri diku reflektohet në portalin që drejtoj Tiranapost.al, që paralel me lajmin e ditës, me statuset, fotot, sherret, pajtimet, protestat dhe marshimet të ketë artikuj për libra, kulturën, artin.

    Për librat, ndonjëherë, shkruan botuesja Arlinda Dudaj dhe më vjen keq kur shoh sa shumë e duan lexuesit dhe sa pak artikuj rreth librit ofrojmë ne.

    Gjatë rrugës zbulova një djalë të talentuar, Erjonin, që e kisha përzemër për përkthimet dhe leximet e tij, por një ditë iku, për më mirë. S’e shoh më askund të shkruajë artikuj aq të bukur, por ka rëndësi që njerëzit të ndjekin instinktin e tyre dhe të bëjnë atë që duan!

    Sikundër një ditë gjeta një shkrimtar të ri, por ai më tha se shkruante veç romane dhe se nuk ishte tip për shkrime portalesh. M’u duk se mbeti i fyer edhe nga propozimi im në telefon. Nuk kanë faj, se portalet kanë këtë namin e keq, ndoshta.

    Iva Tiços, një bashkëpunëtore prej fillimit të Tiranapost.al, i kam kërkuar shpesh t’i rikthehet pjesës më të mirë të saj, gazetarisë së kulturës. Nuk ka në treg gazetare kulture si ajo, ndoshta mund të gjej edhe dy të tjera, por kaq! Ivës, siç biem dakord të gjithë, këto kohë i pëlqen keku me qershi, flet për pluhur vaniljeje, ca lloj mbajtëse tortash dhe blen revista gatimi pafund. Ndonjëherëëëë, po ndonjëëëherëëë ama, shkruan diçka të natyrës së vet!

    Të gjitha këto më erdhën rrotull në kokë kur pashë një ekspozitë të Kolë Idromenos në Galerinë e Arteve, nën kujdesin e Erzen Shkolollit.

    Ekspozita e Kolë Idromenos është një puhizë krenarie në l(l)umin e lajmeve të përditshme. Kolë Idromeno nuk ia merr kurrë lajmit: ja çfarë veshi filania, ja komenti që vërteton se ata janë bashkë ose të ndarë, apo nxitimit për të shkruar statuset patetikë të jo pak politikanëve. Por do ishte një artikull ‘bold’ në arën me lajme njësoj.

    Motra Tone paska qenë në të vërtetë motra e piktorit, një fakt që nuk e dija. Por vetëm kaq mund t’ju them. Unë nuk jam gazetare kulture, as kritike arti. E dua artin, sepse si gazetare besoj që edhe kur duket i mërzitshëm dhe s’ka magjinë tërheqëse të skandaleve rozë e lajmeve bomba, ka një fuqi për t’i relaksuar mendjet e njerëzve, për t’i çuar në reflektim dhe për t’ua zbrazur mëritë. Ndoshta shërben edhe për të na frymëzuar, sepse thellë-thellë kriza ku gjendemi nuk është asgjë më shumë sesa mungesa e inspirimit. A nuk e keni vënë re dhe ju?

    Tani, s’e di a do gjendet një njeri që të shkruajë thjesht e bukur për ngjarjet e kulturës, artin në Tiranë, në Tiranapost.al. Se për të tjerat, për çdo gjë tjetër, jemi bërë të gjithë mjeshtra dhe nuk e dimë ku mbaron historia e tjetrit dhe ku fillon e jona, se këto punë u bënë kaq rrëmujë sa nuk mbajmë mend asgjë nga dita në fund të saj! S’po mbajmë mend as veten ngaqë lexojmë njësoj, jetojmë njësoj, duam të njëjtat gjëra mërzitshëm njësoj.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690