• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Kod i ri Ajror për rritjen e sigurisë. Punonjësit e aeroporteve do kalojnë në ‘Vetting’


    Vjedhjet e ndodhura në aeroportin e Rinasit, i fundit me datë 9 prill kanë bërë që qeveria të përgatisë një projektligj, dhe rishikim të kodit ajror për të shtuar më shumë rregulla strikte për kontrollin dhe çështje të sigurisë. Mësohet se drafti me 165 nene (18 nene më shumë se aktuali) është paraqitur tek grupet e interesit. Kapituj të veçantë zënë raportimi i incidenteve të cilat me draftin e ri do hetohen nga një strukturë e veçantë në varësi të ministrisë së Energjetikës që do quhet Autoriteti Kombëtar i Investigimit të aksidenteve të Sigurisë së operimit në Aviacionin civil, por përfshihet edhe Autoriteti Aviacionit Civil.

    Report TV zbardh draftin ku tregon se Autoriteti i Investigimit do të jetë nga pikëpamja funksionale dhe organizative i pavarur nga autoritetet e aviacionit, të cilët mbikëqyrin vlefshmërinë ajrore, licensimin, operimin e një avioni, mirëmbajtjen, licensimin e personelit, kontrollin e trafikut ajror dhe operimin e aerodromeve, si edhe nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, interesat ose misioni i të cilëve mund të jenë në konflikt me detyrën e ngarkuar tek Autoriteti i Investigimit, ose mund të influencojnë në objektivitetin e këtij autoriteti.

    Për incidentet apo ngjarjet e rënda, ky Autoriteti ka të drejtë që të marrë në hetim personat e përfshirë, si dhe të hartojë edhe një raport që duhet t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave, ministrisë së linjës. Në kuptimin e këtij Kodi, “ngjarje” do të thotë çdo gjë që lidhet me sigurinë e operimit, e cila rrezikon ose e cila, nëse nuk korrigjohet ose trajtohet, mund të rrezikojë një avion, pasagjerët e tij ose ndonjë person tjetër, dhe përfshin në veçanti një aksident ose incident të rëndë.

    “Vetting” për punonjësit në aeroporte/ Qeveria përgatit Kodin e ri Ajror për rritjen e sigurisë pas grabitjeve në Rinas

    Qëllimi i raportimit të ngjarjeve është parandalimi i aksidenteve dhe i incidenteve dhe jo përcaktimi i fajit apo përgjegjësisë. “Raportimi i detyrueshëm do të realizohet për ngjarjet të cilat mund të paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e aviacionit që lidhen me: ngjarje që lidhen me operimin e avionit; ngjarje që lidhen me kushtet teknike, mirëmbajtjen dhe riparimin e avionit; ngjarje që lidhen me shërbimet e navigimit ajror dhe facilitetet; ngjarje që lidhen me aerodromet dhe shërbimet e përpunimit në tokë”.

    Siguria: Në draftin e ri parashikohet “vetting” për punonjësit në aeroporte. Sipas nenit 124, personeli i aviacionit, që do të ketë akses në zonat me siguri të kufizuar ose që punon në pozicione të lidhura me sigurinë, i nënshtrohet kontrollit të së kaluarës për një periudhë jo më të shkurtër se pesë vjet. Kontrolli përsëritet në intervale të rregullta, të cilat nuk duhet të tejkalojnë periudhën prej pesë vjetësh. “Kontrolli i së kaluarës kryhet me kërkesë të AAC-së nga ministria që mbulon çështjet e rendit publik, në përputhje me rregulloren e miratuar nga ministria përgjegjëse për rendin publik. Ofruesit e shërbimeve në aviacionin civil kanë të drejtë për t’i propozuar AAC-së inicimin e kontrollit të së kaluarës për personelin përkatës. AAC-ja miraton dhe publikon kriteret skualifikuese të lidhura me kontrollin e së kaluarës”, thuhet më tej në projektligj.

    Për moszbatim të neneve këtij Kodi parashikohet vendosja e gjobave ku për individët ajo shkon deri në 200 mijë lekë të reja, ndërsa për subjektet varion nga 500 mijë deri 2 milionë lekë të reja. Këto sanksione mund të shoqërohen edhe me sanksione në pezullimin ose revokimin e licensës, certifikatës apo dëshmisë përkatëse. Referuar Report TV/ Tiranapost.al. E.B