Aktualitet

KLSH kallëzon Kryetaren e Bashkisë Sarandë

Florjana Koka, kryetarja e Bashkisë së Sarandës është kallëzuar penalisht ditën e sotme për shpërdorim fondesh. Është Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili në auditivin e kryer në Bashkinë e Sarandës ka evidentuar shkelje dhe parregullsi në procedurat e prokurimeve publike të këtij institucioni.

Për këtë arsye, raporti ka zbuluar një dëm prej rreth 129.4 milionë lekë (të reja), që kanë ardhur si rezultat i shkeljeve dhe parregullsive të evidentuara dhe që mbajnë firmën e kryebashkiakes. Koka është gjetur fajtore në të paktën dy raste të prokurimeve publike, vlera e të cilave shkon në rreth 64 milionë lekë.

“Florjana Koka. me detyrë Kryetare e Bashkisë Sarandë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, për pagesa dhe investime të pakryera por të situacionuara dhe likuiduara në vlerën 64.4 milion lekë (punime fiktive). Investimet e përmendura i takojnë 2 objekteve të prokurimit:

- “Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”, për vlerën 34.4 milion lekë, të likuiduar vetëm 1 ditë pas lidhjes së kontratës.

- “Përmirësimi i rrjetit të ujërave të zeza, zona nga Hotel Butrinti deri tek Kanali i Çukës”, vlerën 30 milion lekë, likuiduar vetëm 5 ditë pas lidhjes së kontratës.” thuhet në njoftimin e KLSH-së.

Po ashtu për shkak të shkeljeve të evidentuara janë proceduar penalisht edhe 6 punonjës të tjerë. Konkretisht janë proceduar:

H. me detyrë ish-Drejtor i Shërbimeve Publike të Bashkisë Sarandë

E. Gj. me detyrë Drejtor Juridik, në cilësinë e Kryetarit të KVO,

P. H. me detyrë ish-Drejtor i Shërbimeve Publike, në cilësinë e anëtarit të KVO,

T. S. me detyrë Drejtore Ekonomike, në cilësinë e anëtarit të KVO.

K.K. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve

A.T. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve

Kujtojmë se kryebashkiakja Florjana Koka, ka dalë nga radhët e Partisë Socialiste dhe është një person i afërt me ish-deputetin Koço Kokëdhima. Madje ky i fundit ishte iniciator dhe mbështetës i kandidaturës së Kokës për Bashkinë e Sarandës në zgjedhjet vendore të vitit 2015. E.C/Tiranapost.al