Aktualitet

KLP për kryeprokurorin: Shtyn afatin, një kandidat akoma s'është futur në sitën e Vettingut

KLP për kryeprokurorin: Shtyn afatin, një kandidat akoma

Sot përfundon afati për verifikimin e kandidatëve për kryeprokuror. Por duke qenë se kandidati Olsian Çela ende nuk ka kaluar në sitë, afati u shty deri në verifikimin e tij.

"Olsi Çela nuk iu është nënshtruar akoma vettingut. Sot jemi mbledhur për shtyrjen e afatit derisa Çela të kalojë procesin e Vettingut. I kemi kërkuar KPK të përshpejtojë proceduarat", u shpreh kryetari i KPL Gent Ibrahimi i cili shtoi se do pritet derisa të përfundojë Vettingu për kandidatin Çela për vlerësimin e plotësimit të kritereve nga ana e kandidatëve.

KLP pritet që së shpejti të rrëzojë edhe një prej katër kandidaturave që nuk plotëson kriteret. Deri tani konsiderohen si kandidatura të forta prokurorët Olsi Çela dhe Fatjona Memçaj.

Pas hapjes së garës nga KLP për këtë post që ka një mandat 7-vjeçar kandiduan tre prokurorë dhe një avokat, të cilët brenda një afati 45 ditor, tre prej tyre do t’i kalojnë parlamentit në bazë të një renditjeje.

Por si përzgjidhet kryeprokurori?

Kryeprokurori zgjidhet me 3/5 të votave me një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, atëherë detyrën e merr kandidati i renditur i pari në listë. Kandidatët janë: Olsian Çela, Arta Marku ( kryeprokurore e përkohshme), Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj./ Tiranapost.al. E.B