Aktualitet

Klithma e Robert Ndrenikës si rezistencë ndaj shembjes së traditës

Fjala e Robert Ndrenikës sot është një klithmë kundër shembjes së traditës, sepse teatri i merr vlerat jo nga tullat e nga llaçi që është ndërtuar, por nga ata që kanë shkelur në skenë.

Nga Erjon Uka/Robert Ndrenika mund të kishte kërkuar çdo gjë, e të gjithë do të ishim dakort që t’ia jepnim. Para, shtëpi, poste, tituj. Çdo gjë luksoze që patjetër një aktor i kalibrit të tij, por edhe shumë të tjerë si ai, duhet t’i kenë. Por jo. Nuk kërkon asgjë prej këtyre. Robert Ndrenika sot kërkon vetëm një teatër!

E pabesueshme, por është e vërtetë. Flet rrallë, por sa herë e bën fjalët e tij kumbojnë në veshët e gjithkujt, përveçse të politikës natyrisht. Sepse për turp të politikës sot bëhen ende diskutime të llojit “a duhet prishur apo jo Teatri Kombëtar për t’u ndërtuar një tjetër gjetkë”. A thua se po t’i mbajmë të dy teatrot, Tirana do kulturohej aq shumë sa do pëlciste.

Në shumë media sot fjala e Ndrenikës u interpretua si replikë me ministren, të cilën ai e quajti ministreshë. Nga larg ministren e njoh si përkthyese nëpërmjet letërsisë, kur kam lexuar “Shakaja” të Milan Kunderës. Si ministre mendoj se mbetet akoma në sprovë. Por nëse Robert Ndrenika vendos ta quajë ministreshë, ashtu qoftë, pasi problemi në këtë vend është se teknokratët, profesionistët, njerëzit e fushës, mbahen gjithnjë larg vendimeve të mëdha. Ashtu siç është edhe ndërtimi i një teatri të ri, “Turbina”, për të cilin Ndrenika thotë se nuk i plotëson kushtet për të qenë teatër. A ka espertizë më të madhe se sa ajo e një njeriu që më shumë kohë të jetës e ka kaluar në skenë se sa jashtë saj?

Fjala e Robert Ndrenikës sot është një klithmë kundër shembjes së traditës, sepse teatri i merr vlerat jo nga tullat e nga llaçi që është ndërtuar, por nga ata që kanë shkelur në skenë. Por ky është një mallkim që na ka ndjekur nga pas gjithmonë, ku pasardhërsi shkatërron gjithçka ka gjetur nga paraardhësi, e kështu vazhdon pafundësisht. Deri në harresë, deri në shuarjen e kujtesës kolektive.

Ku duhet prishur një teatër, për të ndërtuar një tjetër; ku duhet prishur tre herë sheshi për ta ndërtuar përfundimisht; ku duhen shkatërruar mjedise sportive për të ndërtuar të reja; ku duhen prishur uzina, për të gjetur të tjera; ku duhen anuluar ligje, për të bërë të tjera identik të njëjta; ku duhen zhbërë institute studimi, e më pas duhen mbajtur konferenca shkencore për t’i ringritur. Shkurt, ku duhet zhbërë gjithçka për t’u bërë diçka tjetër.

Vetë nuk do të doja të shkoja në asnjë teatër tjetër përveç atij Kombëtar. Sepse edhe sot sa herë shkoj, në sallën që i kanë vënë emrin e Kadri Roshit, më vijnë ndër mend kujtime nga më të ndryshmet. Kur me prindërit, atëherë kur s’kishte kinema, mezor prisnim një komedi të Roland Trebicës apo një dramë të Sulejman Pitarkës.

Sot Robert Ndrenika nuk foli as për nevoja personale, as për politika të reja në kulturë, as për të kërkuar paga më të larta për aktorët. Foli për ekzsistencën apo jo të Teatrit Kombëtar, pasi në kufijtë e ekzistenciales ka mbetur niveli i diskutimit. Dhe nuk i tha të gjitha, sepse siç ironizoi, të tjerat i kujtohen në darkë nëpër gjumë!/Tiranapost.al