Aktualitet

Klajda Gjosha zbulon te Ilva Tare pse u mërzit sot LSI me deklaratat e Ditmir Bushatit

Klajda Gjosha: Ka qenë një ditë tejet intensive në Kuvend dhe në Komisionin e Jashtëm, ku ne ftuam për herë të dytë në një seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm. Megjithatë ishte një seancë e tejzgjatur dhe ishte për të ardhur keq mënyra se si zoti Bushati iu drejtua Komisionit të Jashtëm dhe retorika e përdorur sot, si dhe fjalët tejet ofenduese kundrejt komisionit, të gjithë anëtarëve të atij komisioni. Nuk e mendoja që ai do vinte ti drejtohej komisionit me atë gjuhë dhe duke na akuzuar të gjithëve se jemi të painformuar dhe të paditur në këto çështje.

Tare: Çfarë ishin fjalët që ju kanë mërzitur që i keni quajtur jo etike?

Gjosha: Gjithçka u tha sot. Besoj që edhe qytetarët shqiptarë e kanë ndjekur. Unë nuk besoj se është dhe momenti për ti përsëritur, ishin fjalë tejet ofenduese.

Shkoi më tej me fjalët ofenduese për Presidentin e Republikës. Është e paprecedent që të quhet Presidenti i Republikës “i shkreti nuk kishte dijeni për autorizimin apo mënyrën se si do të vepronte’.

Unë sot isha tejet e mahnitur kur dëgjova ministrin e Jashtëm që tha: Presidenti nuk e dinte që unë nuk kam nevojë për plotfuqishmërinë, por thjesht një autorizim për të nisur negociatat. Atëherë çfarë po kërkon? Pse i përgjigjet letrave zyrtare të Presidentit të Republikës, le të vazhdojë ti kryejë këto negociata pa autorizimin e tij dhe ta shohim se çfarë do ndodh më pas.