Aktualitet

Kjo zyrë që ofron 300 shërbime publike, do të jetë shpëtim për banorët e Librazhdit

Kjo zyrë që ofron 300 shërbime publike, do të jetë

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë Bashkisë Librazhd.

Në 11 sportelet e reja, ADISA do të ofrojë mbi 300 shërbime publike qendrore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Postës Shqiptare.

Po në të njëjtën qendër, do të ofrohen disa nga shërbimet më të kërkuara të bashkisë siç janë shërbimet e urbanistikës, bujqësisë, taksave vendore apo ujësjellës-kanalizimeve. Për më tepër, qytetarët e Librazhdit do të mund të asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar e-albania dhe në portalin Shqipëriaqëduam.al si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.

Gjithashtu, zyra e përbashkët ADISA – Bashkia Librazhd, do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të Prrenjas-it. Brenda këtij muaji do të vijohet me hapjen e Qendrës së Integruar ADISA në Kombinat si dhe Zyrës me një ndalesë ADISA në Bashkinë e Divjakës./ Tiranapost.al