Showbiz

Kila si në Qeparo (por që nuk qenkan nga Bregu)

Kila si në Qeparo (por që nuk qenkan nga Bregu)

Dy vitet e fundit kam zbuluar Qeparoin: plazhin ndoshta më të qetë të të gjithë jugut. Dhe bashkë me të dhe “kilat”, petullat kaq të veçanta, që janë mëngjesi më i shijshëm i mundshëm në gjithë Bregun.

U desh një postim në story të Instagramit, që ndjekëset e faqes të më tregonin më shumë për kilat. Me erdhën disa variante në inbox, por ai që zgjodha që të provoja të gatuaja për të parën herë këto petulla të veçanta, ishte ai i Blerta Baçit. Ishte ajo që më tregoi se ndonëse kilat i kisha shijuar vetëm në Qeparo, janë një gatim kosovar dhe njihen dhe me emrin “llokume” dhe se e ëma dhe më pas ajo i kanë mësuar nga gjyshja gjakovare.

2 gota kos

2 kokrra vezë

1 lugë kafeje sodë buke

1 lugë kafeje kripë

pak vaj

Miell sa të zihet brumi.

Brumi është mirë të jetë më i butë sesa ai i byrekut dhe të lihet 30 minuta të pushojë. Hapet me petës në trashësi një gisht dhe pritet në format e dëshiruara (forma që kisha unë në shtëpi ishte më e vogël sesa ajo e petullave në Qeparo, kështu kisha jusifikimin që të haja më shumë sesa dyfishin). Tigani do vaj të bollshëm dhe të nxehur shumë që të skuqen mirë. Dhe këshilla e mamit të Blertës është: nuk duhen ngrënë pa u bërë të gjitha (rezistova sa munda gjatë skuqjes).