Aktualitet

Këto janë zgjedhje të amerikanëve, ata vendosën për 30 qershorin e Ramës dhe tërheqjen e Bashës

Këto janë zgjedhje të amerikanëve, ata vendosën

Opozita mbajti protesta kombëtare duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama, vendosjen e një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, duke mos pranuar dialog me palën rivale. Opozita me në krye Lulzim Bashën tha se nuk do ketë zgjedhje dhe se do i bojkotojë ato, por duket se qëndrimi i ndërkombëtarëve bëri që sot zgjedhjet të mbahen dhe procesi të shkojë të paktën deri tani pa ndonjë incident të madh. Ndërkombëtarët, amerikanë dhe ambasadorët e vendeve të BE-së bënë thirrje që zgjedhjet të mbahen në 30 qershor dhe të garantohet një proces i lirë dhe demokratik.

Në emisionin me Sokol Ballën, editorja e Tiranapost.al Mira Kazhani u shpreh se këto janë zgjedhje të amerikanëve dhe fakti që nuk raportohet për përplasje apo tensione të mëdha është meritë e tyre:

Kazhani u shpreh: Këto janë zgjedhje të amerikanëve, Rama do kish bërë kompromis po ta linin. Flamuri amerikan tek militantët e Shijakut është komentuar si një sinqeritet, në fakt amerikanët vendosën për zgjedhjet. Tani duhet parë se çfarë sjell java.  Është meritë e amerikanëve që sot s’ka dhunë dhe zgjedhjet që mbahen në 30 qershor. / Tiranapost.al. E.B