• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 21 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Bukuri Kontribues Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha

    Këtë verë mund të shpëtosh nga ato puçrrat e vogla të trupit. Ja se si!


    Kam një problem që më shqetëson gjithmonë e më shumë çdo verë. Lëkura ime në zonën e gjoksit dhe të shpinës çdo verë mbushet me puçrra të vogla, të cilat me kalimin e ditëve acarohen e përhapen edhe më shumë. Kam provuar kremra të ndryshëm, por asnjë rezultat. Kjo më pengon të vesh rroba të hapura në këto zona dhe është ankthi i çdo vere. Si të shpëtoj prej këtyre puçrrave? Faleminderit!

    Nga Dr.Silvana Mishtaku/ Me rritjen e temperaturave dhe të lagështisë shtohet yndyrosja e lëkurës, e cila bllokon poret e saj. Gjithashtu poret zmadhohen nga nxehtësia, djersitja shtohet e të gjitha këto nxisin acarimin dhe daljen e puçrrave të reja.

    Edhe në shkrime të mëparshme kemi përmendur ndryshimet e llojit të kremrave gjatë periudhës pranverë-verë. Ato që kemi përmendur për fytyrën vlejnë edhe për trupin, ndaj në qoftë se keni një lëkurë normalisht të yndyrshme, si fillim evitoni përdorimin edhe të kremit hidratues të trupit edhe të kremit mbrojtës të diellit, duke u kufizuar me përdorimin vetëm të këtij të fundit. Kjo, pasi lagështia e stinës së ngrohtë është e mjaftueshme për lëkurën (ndryshe nga stina e dimrit dhe ajri i ftohtë e i thatë) dhe kremi me filtër mbrojtës mjafton në hidratimin e lëkurës (dhe mbrojtjen nga plakja). Për këtë lloj lëkure sugjerohet kremmbrojtës “oil-free”. Nëse lëkura juaj është normale, apo me tendencë tharjeje, mund të përdorni krem hidratues me filtër mbrojtës ndaj rrezatimit diellor.

    Gjithashtu ju mund të përdorni larës me përmbajtje acidi salicilik (0.5-2%) i cili luan rol eksfoliues (largon qelizat e vdekura të lëkurës) dhe rregullues të yndyrës (largon yndyrën e tepërt) e gjithashtu ka rol qetësues për puçrrat.

    Kontrollimi i djersitjes nëpërmjet larjes më të shpeshtë të lëkurës, përdorimi i pecetave për ta tharë atë si dhe përdorimi i veshjeve me material të freskëta e që përthithin djersën, luajnë gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm, pasi e lejojnë lëkurën të kryejë frymëshkëmbimin e saj.

    Në qoftë se puçrrat janë shumë të përhapura në lëkurë dhe të nuk arrijmë t’i eleminojmë  me masat e mësipërme, drejtohuni tek mjeku dermatolog, për të marrë produkte mjekësore (me përmbajtje benzoilperoxidi, zink, antibiotikë, etj) duke i shmangur vetes blerjen e vazhdueshme të produkteve të papërshtatshme, që jo vetëm nuk ua qetësojnë lëkurën, por dhe mund ta përkeqësojnë atë.

    *Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

    Email: [email protected]

    Instagram: silvanamishtaku