• Shqip
  • English
  • E enjte, 14 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Sa nje kafe nga Iva

    Këshilla modeste: si të marrësh më të mirën e Jugut shqiptar


    Nga Iva Tiço/Ka një gjë më të keqe sesa turizmi shqiptar: janë të gjitha shkrimet që bëhen për të. Ndoshta dhe ky shkrim që po bëj tani bën pjesë pikërisht në këtë kategori, por ja që e ndjej për detyrë të bëj timen, pa u ankuar si të gjithë, pa fajësuar as qeverinë dhe aq racën shqiptare që bën turizëm apo atë që shërben në turizëm. Në fund të fundit, këta jemi ne! Jemi ata që jemi dhe turizmi nuk do jetë as më i mirë dhe as më i keq sesa vetë ne. Po pse në Jug, do thoni, dhe jo në Veri? E para, sepse këto janë këshilla personale dhe unë këtë vit vetëm atje kam shkuar, nga plazhet shqiptare. Dhe e dyta: për mirë apo për keq, për Jugun flasin të gjithë, shkruajnë të gjithë, të gjithë atje ëndërrojnë të shkojnë apo bëjnë plane për të shkuar dhe për Jugun duan më shumë të lexojnë. Eshtë vendi ku shkojnë dhe intelektualët dhe vajzat e bukura të Instagramit, edhe familjarët dhe grupet e të rinjve, dhe ata që kanë dhe ata që s’kanë, edhe emigrantët, edhe kosovarët e maqedonasit, e së fundmi me shumicë edhe italianët e të tjerët nga Evropa. Ndaj, le të shkojmë sërish në Jug dhe të marrim ca masa që pushimet apo fundjavat tona atje të mos jenë një lumë ankesash për turizmin, të atilla sa të mund të frymëzonin nja dhjetëra shkrime të këqija për turizmin. Në fund të fundit, do shkojmë për t’u kënaqur jo për të marrë shënime t’u bërë blogerë udhëtimesh, apo jo?!

     

    • Lëri pritshmëritë në shtëpi

    Shumë vite më parë, mjaftonte të dilja nga unaza e vogël e Tiranës dhe nuk i porosisja më kamerierit thjesht një “kafe”, por ia sqaroja nëse doja ekspres, si e doja, me çfarë lloj qumështi ose jo, etj., etj… Ideja është që jashtë zonës sonë duhet të sillemi si jashtë zonës sonë, në mënyrë që të shmangim acarimin e nervave dhe prishjen e qejfit. Dhe si kudo tjetër, pritshmëritë janë ato që na prishin më shumë punë. Ia vlen që kur nisemi për në Jug ta përgatisim veten mirë që atje asgjë nuk do jetë e mirë, apo thënë më saktë do jetë ndryshe nga ato që jemi mësuar të kemi çdo ditë. Dhe kur e dimë këtë, asgjë nuk na shqetëson, asgjë nuk na e shkatërron qetësinë shpirtërore.

     

    • Mos bëni llogaritë e të tjerëve

    Në ka gjë që ta shkatërron humorin më shumë është të bësh llogaritë e të tjerëve. Kaq lekë kushton veza për mëngjes, aq kushton pica, pse është aq e kaq më i shtrenjtë çmimi, pse abuzojnë tregtarët… Eshtë një bisedë që nuk të shpie askund dhe të prish terezinë, të helmon pushimet. Për të bërë llogarinë e tjetrit duhet të kesh njohuri ekonomike, të dish të bësh një plan biznesi, të dish kostot, rrisqet, punën, fitimin, kohëzgjatjen e sezonit… Me këtë nuk po bëj avokatin e bizneseve, sigurisht ka ndër ta dhe abuzivë. Thjesht po them se shumica kanë nisur një rrugë herë me dije e plane konkrete, herë thjesht me pasion dhe rrugës po mësojnë nga viti në vit si t’ia dalin mbanë që të jenë aty dhe vitin e ardhshëm e t’ju kenë dhe ju prapë aty. Thënë kjo, bëni mirë të mësoni që pranë detit, pranë mbretit, çdo gjë kushton më shumë. Ndaj më mirë bëjmë llogarinë tonë, se çfarë kemi takat të paguajmë dhe çfarë jo, sesa të bëjmë të tjetrit pse e ka aq e kaq. Do jemi më të lehtësuar dhe do shijojmë atë për të cilin kemi shkuar: detin e Jugut.

    • Nqiqni vetëm ata që janë si ju

    Tundimi për të bërë të njëjtat gjëra me të famshmit e rrjeteve sociale është i madh. Por ja që jo çdo gjë është si në rrjet, shumica e postimeve në Instagram janë të sponsorizuara (me raste dhe të miat, kjo është lehtësisht e dallueshme) dhe në fund të fundit jo të gjithë kemi të njëjtin buxhet. Fakti që një vajzë e bukur pozon në rresht të parë në një shezlong dopio me perde të bardha, nuk do të thotë që të gjithave na e lejon xhepi të shullohemi në të njëjtin shezlong. Dhe për këtë nuk ia vlen të mallkojmë e të shajmë atë që ka mundësi ta bëjë. Ndaj të gjithë sipas takatit, le të gjëjmë cepin që na përshtatet më shumë në diell dhe të ndjekim vetëm shembujt dhe këshillat që na përshtaten me portofolin.

    • Bukë me vete, çadër me vete

    Për fat, këtë vit janë liruar shumë plazhe publike. Një prej tyre, që e provova vetë në fundjavë, ishte Gjipeja. Meqë kisha parë lajmet që njoftonin heqjen e shezlongëve, mora çadrën me vete dhe kalova një ditë shumë, po shumë të bukur. Si unë kishte me dhjetëra të tjerë dhe askush nuk dukej se po kalonte keq. Me ç‘kam parë, ka shumë hapësira të tilla në Jug, që mund t’i shfrytëzojmë të gjithë. Ushqimi me vete është gjithashtu opision i mirë. Madje, përtej bukës me vezë apo sanduiçëve, ka shumë gatime të freskëta që mund të merren me vete nëpër enë të mbyllura dhe në frigoriferët portativë, bashkë me shishet e ujit dhe gjithë pijet. Mjafton të respektojmë plazhet private, që e ndalojnë këtë gjë. Aty ku ndalohet është e drejta e atij që e ndalon, të caktojë rregullat e biznesit të vet. Rëndësi ka që ne të tjerët kemi alternativa dhe diell e hapësirë pak më tej (receta të thjeshta gatimesh për t’u marrë me vete mund të gjeni në www.rozmarina.al).

    • Porosi pak më thjeshta

    Pak a shumë si pritshmëritë, kam zbuluar se dhe ulja e pretendimeve të ndihmon t’ia kalosh më mirë në Jug të Shqipërisë. Për shembull, ca vite të shkuara unë porosisja lloj-lloj gjërash në restorante, paguaja shumë, kënaqesha pak. Pastaj, një miku im dhe gruaja e tij, me të ardhura disa herë më të mëdha se të miat, më mësuan filozofinë e tyre: këtu në Jug mbush barkun, gjërat e mira dalim i hamë në Tiranë. Që prej asaj kohe, edhe hamë thjesht shpejt dhe pastër me më pak lekë, edhe nuk kemi asnjë arsye për të prishur qejfin. Picat, sallatrat, makaronat sa më të thjeshta, supërat dhe patatet me djathë janë gjërat më të thjeshta dhe më të lira që në Jug. T’i sjellin shpejt e shpejt dhe nuk të lënë mundësi të ankohesh as për freskinë, vajin e përdorur shumë apo cilësinë e gatimit. Me këtë nuk dua të them që në Jug nuk ka restorante të mrekullueshëm dhe chef-a të mirë. Thjesht unë preferoj t’i shijoj jashtë sezonit apo në restorantet e tyre në Tiranë.

    • Lexoni dhe bëni recenca

    Përgjithësisht shënimet e të tjerëve online të tregojnë shumë për atë që të pret. Lexoni çfarë kanë shkruar të tjerët dhe ndani përvojën tuaj: do ndihmoni shumë të tjerë.

    • Pushimet janë thjesht pushime, mos i çoni dëm

    “Unë nuk dua të pushoj këtu, dua të jetoj këtu”, pat thënë dikur një kolegu im për një nga të parat rezorte cilësore në Shqipëri. E kush nuk do të donte?! Por ja që pushimet zgjasin pak, ato nuk janë jeta vetë. Ndaj le t’i marrim sportivisht. Nuk janë ashtu siç e prisnim? Nuk duken si ato të njerëzve në Instagram? Nuk duken si film i bukur? E punë e madhe! Janë tonat, ndaj nuk duhet t’i prishim. Nuk janë as vetë jeta, nuk na e prishin të ardhmen edhe nëse nuk qëllojnë gjë. Ndaj, le të shmangim dramat e t’i gëzohemi diellit dhe detit. Sidomos detit të Jugut. Eshtë një nga më të bukurit në botë dhe kemi fatin ta kemi kaq afër, kemi mundësi ta prekim të gjithë, edhe me shezlongët luksozë edhe me çadër me vete, edhe me restoranet gourmet dhe me bukën me vezë të skuqur me vete. Eshtë det i jashtëzakonshëm dhe pikë. Le ta shijojmë se e meritojmë kaq gjë!/Tiranapost.al

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post