Aktualitet

Kërkoi 1000 euro për një operacion/ Jep dorëheqjen zv.ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut

Kërkoi 1000 euro për një operacion/ Jep dorëheqjen

Jep dorëheqjen zv.ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Asim Musa, një ditë pasi u publikua  kamera e fshehtë e emisionit "Fiks Fare" ku kërkonte rreth 1000 euro për një operacion.

Në një konferencë për mediat Musa tha se ky kurth nga emisioni ishte një grackë për spektakël inekzistent mediatik me qëllim të dëmtimit të figurës dhe punës së tij profesionale.

“23 vite rresht jam në shërbim të qytetarëve, jo vetëm të vendit tonë por edhe më gjerë. Me ndershmëri dhe përkushtim. Shpesh nuk kam kursyer as rehatinë familjare për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Unë e njoftoj “pacientin” se ndërhyrja për qytetarët e huaj pa siguracion shëndetësor në vendin tonë është private dhe e njoftoj për koston e mundshme të shërbimit shëndetësor për të gjithë procedurën. Ndërsa këta ‘pacientë’ vazhdimisht përpiqeshin të krijonin me çfarëdo formë të mundshme, siç e shikoni në video”, tha Musa për mediat.

Në filmime ai dukej teksa bënte pazare për të marrë ryshfet nga shtetasit e huaj për operacion në spitalin e Strugës, ku ai është mjek-kirurg. Prokuroria në Strugë ka nisur hetimet ndaj çështjes së Musës dhe pritet ta marrë atë në pyetje, ku për bazë do të mbështetet në regjistrimet origjinale të realizuara nga emisioni "Fiks Fare". /Burimi VOA /Tiranapost.al