• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Aktualitet Të gjitha

    Keq është, do bëhet edhe më keq, që të bëhet më në fund mirë!


    U bë për të thënë fjalor politikanësh dhe policësh, sepse, siç ndodh gjithmonë, shoqëritë i tërheq forma, estetika në rastin konkret po i shpëton të përgjuarit ‘e pushtetshëm’. Edhe pse fjalori është pjesë e pandarë e formimit të dikujt, në rastin e përgjimeve të gazetës bulevardeske Bild (që gjermanët s’e marrin shumë në konsideratë) ai që është i habitshëm, më shumë sesa komunikimi, është sesi njerëz të veshur me pushtet, në kohën kur kishim një ministër të Brendshëm të akuzuar se po i përgjonte të gjithë, jo vetëm që del i përgjuar por ai dhe shokët e tij, bashkë me shefin Edi Rama, janë të gjithë të peshkuar nga opozita që sot ka frikë. Frikë nga kush? Nga një qeveri që s’paska nën kontroll asgjë, as telefonin e vet e jo më gjykata e prokurori?!

    Frikë? Nga kush? Nga këta që janë përgjuar e fut në rrjetë si peshq?! Frikë nga kush? Nga Saimir Tahiri, që s’paska përgjuar dot në kohën e artë të tij as mizat e jo më armiqtë e tij politikë?!

    Kjo pa diskutim që tregon, në ‘pikëpamjen institucionale’, dobësi e paaftësi të një shumice që mund ta përgjojë opozita e brishtë, delikate, thuthuqe e naive, që mund ta degjenerojë partinë në pushtet duke i postuar përgjimet në një gazetë rozë gjermane, atje ku as në ëndërr nuk mund të nxjerrin në publik një përgjim të Angela Merkel-it.

    Sa për përmbajtjen, përgjimet janë mediokre para atyre që dinë shqiptarët, gazetarët, familjarët, sesi menaxhohen objektivat zgjedhore prej dëkadash në këtë anë të globit.

    Në këtë pikë është e vështirë që t’i japësh fletë lavdërimi një partie. Shqipëria është më problematike sesa në përgjime, por, po ta mendosh mirë, përgjimet tregojnë se opozita nuk ka pse t’ia ketë frikën kësaj mazhorance dhe se në thelb rilindasit, edhe pse nuk kanë pasur asnjëherë talentin e mbrojtjes apo kapjes së kundërshtarit me manovra dhe intriga të rrezikshme, për fatin e keq historik të kësaj partie, ndoshta të vetmes forcë që ka në trashëgiminë e saj demokracinë, u kompleksuan e u trembën nga modeli berishan aq sa u pajtuan me të fortët e disa zonave duke shënuar një nga gafat me të mëdha, aq më tepër që, siç shihet në përgjime, janë krejt të papërvojë. Amatorë!

    Kështu që mes të këqijave, më mirë të na drejtojnë amatorë sesa profesorë (në kuptim metaforik, për vjedhësit e zgjedhjeve dhe për hajdutët e jetëve tona që nga 1991 e këndej).

    Kuptohet, mirë do ishte të na drejtonin shtetarë që as i përgjon dot, as i kap në gabim dot, as i tall dot. Mirë do ishte të vinin kohëra të reja, kur të mos i duam liderat, të mos inamorohemi pas tyre, por t’i shohim me sytë e mendjes dhe t’i peshojmë për atë që iu vlen lëkura. Por s’jemi ende në atë fazë zhvillimi. Jemi keq dhe do bëhet edhe më keq, që të jemi një ditë mirë, më në fund! (Kështu dua të besoj, mbase!).

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]