• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 13 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Sekretet e Ildës

    Ke nxjerrë shtëpinë në shitje? Mëso 4 truke që ta shesësh më shtrenjtë


    E keni vënë re që blogjet janë pasioni i Tiranapost? Është një hapësirë e dedikuar për rrëfimin, për librin, për gatimin, arredimin, për ndjesitë e së fundi edhe për shtëpitë e pronat. Blogu më i ri që do të vijë të hënave, quhet “Sekretet e Ildës”. Në zbulim të një bote që ne shqiptarët edhe pse s’e kemi pasur por më shumë sepse nuk duam, e njohim shumë pak. Ama të gjithë njohim shumë mirë marrëveshjet e gabuara për shitjen e një shtëpie, çmimin më të ulët sesa meriton në të vërtetë. I njohim mirë peripecitë që kalojmë për të dhënë e për të marrë një shtëpi me qira, për të shitur e për të blerë. Pa njohim pastaj edhe ato historitë që nuk janë edhe aq të rralla se si një shtëpi u shitet tre pronarëve të ndryshëm. Epo ka ardhur koha të informohemi. Të mësojmë. Jemi një vend në lëvzje dhe real estate nëpër botë ka kohë që funksionon si një nga shërbimet më utilitare. Që të mos gabojmë as ne, që të mësojmë të fshehtat dhe sekretet që fshihen pas gjithë këtij aktiviteti, lexoni çdo javë Ilda Zaloshnjën, zonja që ka disa vite që operon në fushën e real estate dhe duke filluar që sot, do na mësojë çdo javë (të hënë) nga një sekret të ri. Bëhuni eskspertë. Besojuni profesionistëve si Ilda.

    “Eh, sa e vështirë paska qenë!”, janë fjalët që dëgjojmë më shpesh gjatë punës tonë të përditshme nga shumë klientë, të cilët përballen me sasinë e madhe të informacionit dhe vendimeve që duhet të marrin sapo vendosin të shesin pronën e tyre.

    E dimë edhe ne, nuk është e lehtë! Brenda mureve të një shtëpie ka aq shumë. Ka gëzime që të kanë lënë pa frymë, të qara fëmijësh, hapa të veckël që janë hedhur për herë të parë dhe ti e di edhe se në cilat pllaka. Janë thënë aq fjalë të ngrohta, janë shtruar tryeza, janë pritur të ftuar. Mbeten aq shumë ngjarje brenda një shtëpie, ca që duam t’i kujtojmë e të tjera që duam t’i fshjmë nga kujtesa përjetë por që kanë ndodhur aty, në sallonin e vogël ku çdo gozhdë në mur flet për një kujtim të varur aty.
    Ne shqiptarët jemi mësuar që të jetojmë gjithë jetën tonë brenda mureve të së njëjtës shtëpi. Historia që kemi kaluar na ka bërë të besojmë se të kesh një shtëpi tënden është kaq e rëndësishme. Punojmë gjithë jetën për ta pasur dhe kush më mirë se ne e se sa e vështirë është të kesh portën tënde, pothuajse e pamundur, prandaj kemi qenë të prirur të mendojmë “e ke tani? Mbaje fort e mos e lësho”.

    Për fat të mirë, kjo histori po i përket gjithmonë e më shumë të shkuarës. Edhe ne kemi filluar të mendojmë e të veprojmë si gjithë bota që e marrim për shembull në gjithçka: të ndërrojmë shtëpi 2-3 herë gjatë jetës, duke i bërë llogaritë sipas rritjes së familjes, të të ardhurave si dhe dëshirën njerëzore për të pasur gjithmonë më shumë, gjithmonë më mirë…!

    E pra, edhe pse ti e do shtëpinë tënde, ke vendosur ta shesësh! Vendimi u mor.

    Po tani? Çfarë të bësh?
    Si fillim bëj një investim të vogël në shtëpi. Një rifreskim të bojës nëpër mure, me ngjyra të lehta, plot dritë. Ndoshta mund të ndërhyni pak në përmirësimin e tualetit,të ndërroni perdet apo të bëni gjithçka tjetër që ndryshon pozitivisht imazhin mbase të zbehtë të pronës suaj, duke i dhënë asaj freski. Ju siguroj që paratë që do të shpenzoni për këto përmirësime, do t’ju kthehen si në çmimin më të lartë që mund të merrni nga shitja, ashtu edhe në shkurtimin e kohës së shitjes.

    Së dyti, mblidhni gjithë dokumentacionin e pronës, mbajeni në një dosje të vetme dhe gjithmonë të gjendshme, pasi ky dokumentacion duhet të jetë në dispozicion që nga momenti i listimit për shitje e deri në momentin e firmosjes së kontratës pranë zyrës noteriale.

    Së treti, vendosni të punoni me agjentin tuaj imobiliar të preferuar. Si ta zgjidhni, nëse nuk e keni një? Mjafton të kërkoni një analizë të krahasuar tregu, e cila duhet të ketë disa elemente besueshmërie brenda, si p.sh. shitjen e fundit në zonën ku ju jetoni, çmimin e listimeve të tjera në zonën ku ju jetoni si dhe çmimin që ju vetë pretendoni të merrni, për të nxjerrë një mesatare realiste, e cila do ta bënte pronën tuaj të shitshme. Kërkojini agjentit të inspektojë hollësisht pronën, të bëjë fotografi të mira, që nxjerrin në pah gjithë vlerat e pronës tuaj, ofrojini atij gjithashtu gjithë ndihmën dhe mbështetjen e mundshme për ta bërë punën e tij sa më mirë, duke sistemuar shtëpinë përpara mbërritjes së tij, duke prezantuar një pronë të rregullt e të pastër, e cila është malli që ju kërkoni të shisni dhe si e tillë duhet prezantuar bukur. I keni parasysh mollët e kuqe kur vendosen në rresht nëpër arka, të sistemuara me rregull, të pastruara aq sa u shkëlqen lëkura? Po ato të hedhura në një kosh të madh? Ju vetë, kë do të blinit të parat? Unë them që mollët e kuqe kanë shumë më tepër shans për t’u shitur, me çmim më të lartë e në kohë më të shkurtër. Mendoni për këtë kur prezantoni shtëpinë tuaj tek agjenti imobiliar, që është vitrina juaj apo edhe te bleresit e mundshëm që do të vizitojnë shtëpinë bashkë me të.

    Dy fjalë për agjentin imobiliar…
    E dimë, ne jemi djalli që ju merr 3%…por ne jemi gjithashtu ata që shohim dhjetëra e qindra shtëpi e që bëjmë dallimin midis njërës dhe tjetrës; ne dimë t’ju ndihmojmë për të vendosur çmimin më të drejtë për pronën tuaj, në mënyrë që ju të mos pretendoni çudira e prona të mos shitet kurrë apo të ulni pazarin tuaj aq shumë sa të mos merrni një vlerë të drejtë për pronën tuaj. Ne kemi kaluar aq shumë si ju gjatë punës sonë, jemi të ftohte nga çdo emocion dhe për këtë arsye nuk gabojmë. Ne dimë t’ju drejtojmë gjatë gjithë procesit, të marrim përsipër shumë nga angaritë që lidhen me të, për t’jua bërë ditën më të këndshme dhe shitjen më pak të lodhshme. Ne dimë t’i japim shkëlqimin e merituar pronës suaj, t’i japim vitrinën e ndriçuar që juve vetë ju mungon dhe ta shesim! Sikur ju të na ndihmonit duke na besuar çdo ditë nga pak më shumë!

    Së katërti, informohuni nëpërmjet agjentit tuaj, për detyrimet tatimore që rrjedhin nga shitja e pronës, deri në detaje. Çdo agjent imobiliar, i përgatitur e me eksperiencë, di t’ju thotë në majë të gishtave sa i takon të paguajë kujt, në mënyrë që ju të dini sa do t’ju mbetet neto në përfundim të shitjes dhe të përgatiteni për investimin tuaj të ri.

    Për informacion më të detajuar kliko www.thepoint.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post