• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Sekretet e Ildës Të gjitha

    Ke marrë edhe ti një superlajm si ky? 


    U aprovua kredia e butë, ditë që duhet shënuar në kalendar pasi ke një jetë të tërë që e pret këtë moment. Erdhi dhe dita jote… ndaje gëzimin me miq e të afërm.

    Mes emocionesh të papërshkrueshme ke arritur të shquash mes qindra gërmash emrin tënd dhe vlerën që të është aprovuar fillimisht nga bashkia…

    Ke nisur që tani ta imagjinosh ku do jetë shtëpia jote, si do ta arredosh e shumë e shumë ëndrra me sy hapur.

    Ky është momenti ta mbledhësh veten e me një laps e letër në dorë të bësh ca llogari, ose më thjesht merr telefonin dhe cakto një takim me një punonjës të bankës, para të cilit ji sy e veshë, sepse aty nis hapi i parë. Bashkia ka miratuar vlera të tilla si 5.300.000 lekë për një apartament 1+1 dhe 7.100.000 lekë për një apartament 2+1. Kjo nuk do të thotë që këtë shumë do ta marrësh të plotë dhe menjëherë, sepse është banka ajo që përcakton përfundimisht shumën. Ti njihesh me vlerën e përafërt që duhet të ketë shtëpia jote mbi bazën e përllogaritjeve të të ardhurave tuaja nga rrogat, kredimarrës të mëparshëm apo jo, dorëzanës të dikujt ose jo. Pas kësaj konsulte ti ke një shifër të përafërt të shtëpisë që po kërkon të blesh: Ki gjithmonë parasysh që banka të financon vetëm 70% të shumës totale të blerjes, kështu që nëse banka dhe bashkia të kanë dhënë 5.300.000 lekë, kjo do të thotë që duhet të kesh vetë edhe 160.000 lekë që përbëjnë diferencën prej 30%, pjesë e parapagimit të pronës, e cila vjen nga kursimet e tua apo nga ndihma që miq e familjarë mund të të japin.

    Sigurisht hapi i radhës është konsulta tek një agjensi imobiliare, e cila ka në portofolin e saj qindra mijëra prona të vlerave të ndryshme.

    Nëse buxheti yt është vërtet i kufizuar, zona ku mund të blesh shtëpinë tënde, brenda vlerave të mësipëme, janë zona e Astirit (550 – 700 Euro/m2), zona e Yzberishtit (500-550 euro/m2), Liqeni i Tiranës (800-900 euro/m2), zona e Freskut (450 – 550 euro/m2), zona e Ali Demit (700 – 800 euro/m2), etj.

    Ky është momenti që ti përzgjedh zonën ose zonat e tua të preferuara, lagjen tënde aktuale, lagjen ku jetojnë prindërit e tu apo atë zonë që ka akses të shpejtë me punën, shkollën, kopshtin… Durim! Sapo ka nisur një etapë tjetër “trazirash”, por agjenti imobiliar është misionari që do të ta bëjë më të lehtë gjetjen, pasi di dhe njeh shumë raste. Konsultohu me të, bëj një listë kërkesash e nevojash, duke mbajtur parasysh çfarë është më e rëndësishme për ty, piketo disa zona, vizito çdo ditë 3-4 prona të sugjeruara e për çdonjërën prej tyre mbaj shënime.

    Ki parasysh faktorët më të rëndësishëm, orientimin dhe organizimin e hapësirave dhe certifikata e pronësisë.
    Pasi ke parë disa, po vendos të prezantosh për miratim opsionin që përafrohet me atë që kishe dëshiruar. Të uroj fat, pasi tani situatën e merr në dorë banka, e cila njihet me pronën nëpërmjet dokumentacionit që ti do të paraqitesh, verifikon statusin ligjor të pronës, bën vlerësimin e saj me anë të ekspertëve vlerësues të licencuar nga shteti e të njohur nga banka, vlerëson edhe njëherë statusin tuaj nëpërmjet dokumentacionit të kërkuar e paraqitur që në momentin e parë të këtij procesi. Do të jetë një proces pak i gjatë dhe me disa burokracira, arsye për të cilën do të ndesheni edhe me paragjykimin nga ana e pronarëve, që nuk dëshirojnë të presin aq gjatë dhe vendosin të mos jua shesin juve pronën e tyre, duke ju lënë në baltë në momentin e fundit. Mos u çuditni, ndodh! Prandaj, edhe njëherë, agjenti imobiliar mund t’ju ruajë nga shumë situata të paparashikuara, sepse ai i ka kaluar të gjitha dhe arrin të parashikojë hapin e radhës.

    Ndërkohë, zyra e noterisë, nga ana e saj, nëpërmjet sistemit online të lidhur me zyrën e hipotekës, ka bërë verifikimin e dokumentacionit të pronës, nëse është peng nëpër banka, nëse ka mbivendosje apo është e rregullt, dhe pas këtij rezultati bën aplikimin për rifreskim të certifikatës së pronësisë. Noteri është personi që mban të ngrira në llogari paratë e tua deri në momentin e daljes së certifikatës të re të pronësisë në emrin e blerësit të ri.

    Dhe më në fund ia dole!

    Ta gëzosh shtëpinë e re dhe jetofshi ditë të bukura

    P.S. Ky shkrim është përgatitur nga Ritmalca, konsulente pronash pranë THE POINT Real Estate, e cila ka përjetuar personalisht gjithë procesin e sipërpërmendur, e për këtë arsye është një burim i saktë dhe i ndjerë informacioni.

    Për informacion më të detajuar kliko www.thepoint.al