• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Lifestyle Të gjitha

    Karl Gustav Jung, psikiatri që “krijoi” njeriun e Nëntëqindës


    Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?

    Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.

    Përpara Freud-it

    Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.

    Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.

    Takimi me Freud-in

    Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.

    E pavetëdijshmja kolektive

    Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.

    Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.

    Përseja e konfliktit

    Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.

    Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.

    Alkimia dhe misticizmi

    Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.

    Struktura e Personalitetit

    Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima

    • Personi është uni personal
    • Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
    • Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
    • Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.

    Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij./ Marrë nga bota.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post