Aktualitet

Kapet tjetër gomone me tonelata drogë në Itali. Në pranga dy shqiptarët

Një tjetër gomone është ndaluar nga policia italiane, duke bërë të mundur kështu kapjen e një tjetër sasie të madhe droge që vinte nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, gomonia është ndaluar në brigjet e Barit nga Guardia Di Finanza dhe pas peshimit rezultoi se në gomone po tentohej të trafikohej rreth 1.5 ton marijuanë.

Për këtë arsye janë vënë në pranga dy skafisët shqiptarë V.L 31 vjeç dhe T.N 26 vjeç, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Mësohet se droga ishte e ndarë në 64 pako me peshë totale 1505.30 kg, e cila nëse do të hidhej në tregun e pakicës do të kapte vlerën e 15 milionë eurove.

Sipas mediave italiane, mjeti lundrues është pikasur nga radarët teksa po lëvizte me shpejtësi, çka ka bërë që autoritetet e rendit t’i vihen nga pas deri në ndalimin e gomones. E.C/ Copyright TiranaPost.al