• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    Kanë fyer Papën!


    Papa Françesku, qëkur u zgjodh në tymin e bardhë, ka ‘provokuar’ jo pak, duke prekur tema të nxehta për Kishën deri më dje, si aborti, martesat homoseksuale, por përtej temave tabu, një Papë si ai do kujtohet për shtëpinë modeste, për stilin minimalist, për buzëqeshjen e ëmbël dhe sidomos për hapjen që po i bën Kishës si institucion, duke toleruar të kundërtën, të ndryshmen, të pangjashmen e të pandashmen. Është një papë argjentinas, i zgjedhur jo rastësisht për t’i dhënë botës së krishterë një hov të ri. Sigurisht, ai do kujtohet si papa i parë me Twitter. Sepse sot bota ndodhet në dritaren e vogël të telefonit dhe nëse je sidomos një figurë publike që do t’u drejtohesh njerëzve, duhet të jesh aty, online.

    Por Papa, megjithë mantelin magjik, mistik, imponues që ka profili i tij në të gjithë botën, nuk e ka mundësinë të ndalojë gjykatorët e online-t, komentuesin e botës. Papa që shëron sëmundje, që bekon fëmijë, nuk e ka fuqinë që të jetë i pranuar nga të gjithë edhe kur bën një status njerëzor, siç ishte ai i djeshmi në Twitter, ku predikonte për emigrantët dhe bënte thirrje për të mos i refuzuar ata, se njerëz me zemër e gjak janë.

    Një mesazh, që nuk ta pret mendja se mund të ngjallë irritim. Një mesazh pape, fundja. As shau, as fyeu. Kaq keq nuk kishin reaguar as për homoseksualët, homofobët e online-t.

    Në Itali ka pasur dhe ka një debat për çështjen e emigrantëve, por kjo është një temë më vete, nëse kanë apo jo të drejtë. Italianët i kanë pritur në dekada emigrantët, por sot nuk janë krejt pa të drejtë kur shohin të tjerë që bëjnë sehir dhe ata paguajnë haraçin e luftërave të të tjerëve, por nga ana tjetër emigrantët janë njerëz si ne, fëmijë si fëmijët tanë dhe Papa nuk tha asgjë për t’i bërë gjyqin në Twitter. Komentuesit shpërthyen duke u ankuar se kishte më shumë të vdekur nga tërmetet në Itali e të tjera ngjarje, a thua se Papa duhet të lexonte mendjen e gjithkujt. Ai shkroi një mesazh për aktualitetin, pa përjashtuar rastet e tjera të dhimbjes. Dhimbjet janë të çdolloji dhe s’i mbledhim dot brenda një statusi, as brenda zemrës s’i mbajmë dot shpesh të gjitha. Ndonjëherë i lëmë mënjanë, jo se jemi njerëz të këqij, por se një dhimbje e re vjen në jetën tonë dhe do respektin e saj. Por komentuesi global nuk të fal. Ai sapo iu përvesh edhe një pape dhe tani fle krenar, pasi, tek e fundit, të zihesh me papën pa ekzistencën e internetit as do ta kishe atë rast apo fat.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]