• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kryesore Të gjitha

    Kanabisi/ Deklarata e fortë e Demirajt: Gati arrestimi i 124 personave, listën e ka edhe Rama


    Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se ai dhe kryeministri Rama kanë mbi tavolinë një listë me 124 emra të lidhur me kultivimin dhe shitjen e hashashit.

    Gjatë një interviste për Ilir Babaramon, Demiraj ka thënë se listën e ka pasur mbi tryezë që në momentin që mori detyrën dhe ajo është hartuar nga agjenci të ndryshme.

    “Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimin më të mirë sesa paraardhësit e mi  me agjencitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme të cilat nuk i përmend këtu. E kam qëkur kam ardhur në detyrë”, ka thënë Ministri i Brendshëm, duke shtuar se këtë listë e ka edhe Edi Rama dhe persona të tjerë që duhet ta kenë për shkak të detyrës.

    Por kush është identikiti i këtyre 124 personave? Demiraj tha se janë të shumëllojshëm pasi në listë ndodhen koka të trafikut të kanabisit, por edhe bujq të thjeshtë. “Këta 124 janë kultivues, bujq të thjeshtë, ai shoferi autobotit që çon ujin për ta vaditur apo janë vërtet kokat dhe janë lokalizuar për në pronat e tyre dhe gjithçka. Janë mbyllur dosjet e tyre. Janë të gjitha nivelet që ju përmendet, por me lejoni t’ju theksoj se kjo përbën një sekret hetimor të cilën nuk e ndal këtu me ju.”

    Ai ka thënë gjithashtu se këta persona kanë pasur dhe kanë mbështetje politike. “Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij nuk kultivon dot kanabis. Sigurisht që kanë, në krahasim me vjet kjo është shumë më e vogël, por ne po punojmë që ta pastrojmë. Unë kam qenë në det, mal, fushë, jo se nuk i besoj policisë, por ka raste që edhe punonjës të policisë janë të përfshirë. Ka pas raste se sasira tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, deklaroi Demiraj.

    Një ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama që në task-forcën e luftës ndaj kanabisit tha se do të nisë një aksion i ri për të vendosur para përgjegjësisë të gjitha ata që ai i quajti “të fortët e zonave” që kanë pasur imunitet prej gati çerek shekulli./Tiranapost.al