Aktualitet

Në konferencën me kryeministren serbe, Merkel jep Po-në e saj për Shqipërinë

Në konferencën me kryeministren serbe, Merkel jep Po-në e saj

Kancelarja gjermane Angela Merkel pesë ditë pas takimit që pati me kryeministrin Rama në Berlin shprehet se qeveria gjermane do të japë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë me BE-në. Kjo deklaratë e Merkel u bë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministren serbe, Ana Brnabic. Ndërsa, tha se fjalën e fundit do ta japë Parlamenti gjerman në 26 shtator.

Dokumenti që do të formulojë qëndrimin gjerman, do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të maxhorancës qeveritare, Unioni Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate.

Pyetjes për opinionin e dy vendeve skeptike atë të Francës dhe Holandës, kancelarja gjermane tha se nuk mund të përgjigjej për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë.

“Nuk mund të flas​ për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë, por së pari mund të them për pozicionin gjerman, i cili lidhet me Bundestagun Gjerman. Qeveria ka dhënë një rekomandim pozitiv për të dy vendet me specifikat e veta, si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe për Shqipërinë, por është Bundestagu ai që do të vendosë dhe besoj së shpejti do të kemi një vendim,” deklaroi Merkel./Tiranapost.al