• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Kryesore Të gjitha

    Ka vetëm një rrugë që t’i shpëtojmë gratë nga burrat vrasës


    Nga Diana Çuli*

    Post mortum

    Atmosfera e rënduar nga vrasja e paralajmëruar e Fildes Hafizit, tani na shtyn të reflektojmë më thellë. Pati shumë solidaritet dhe shumë shqetësim, por pati edhe njerëz që u përpoqën ta justifikonin veprimin. Për fat të keq, edhe gra. Në të vërtetë, si do të kishte dhunë, nëqoftëse shoqëria, e përbërë nga burrat dhe gratë, nuk do të ndrynte në vetvete – në një pjesë të konsiderueshme të saj – mentalitetin patriarkal dhe pranimin e dhunës, si diçka normale? Gjithnjë më ka bërë përshtypje që shoqëria shqiptare ka ndëshkuar me ashpërsi e me mizori gratë “fajtore””,  por ka pranuar me krenari dhunën burrërore (vrasje për nder, për kanun, për sedër, për besë, për një fjalë goje, se burri për një nder rron), por e ka pranuar me vështirësi mendjehapjen, tolerancën, marrëdhëniet e barabarta, negociatën, marrëveshjen. Ka pranuar më lehtë vdekjen se jetën. Madje, për atë nderin e famshëm, jeta nuk ka patur e shpesh nuk ka dhe sot kurrfarë vlere.

    Si nuk do të ketë dhunë, kur ka indiferencë? Kur ka gra dhe burra që edhe kur marrin penën të shkruajnë hedhin vetëm helm mbi gjithë ata që sadopak punojnë. Nuk iu shkon mendja këtyre kritizerëve, që nuk lënë gjë pa thënë kundër ligjit, qeverisë, ekonomisë, shoqatave të grave, se edhe vetë mund të kontribuojnë duke dhënë një mendim se si të ecim drejt zgjidhjes?

    Por, e dimë se kështu është, prandaj dhe barra është më e rëndë.

    Pak kujtesë

    Habitemi nganjëherë si u bë kjo shoqëria jonë kështu. Sikur e keqja ka filluar para pesë apo para dhjetë vjetësh. Sa mendim dritëshkurtër. Dhe në këto kohëra sepse më janë ndërmendur katër vashat e Mirditës, katër mësueset e reja që i vranë burra të ashpër, ngaqë ato donin të përhapnin ditën e dijes. Këto katër mrekulli njerëzore vranë në emër të Kanunit vetëm pse ishin femra, sepse donin të punonin, të ndriçonin mendjen e fëmijëve. Dhe ne habitemi. Nuk duhet të habitemi po të kujtojmë edhe se dekada më vonë, gjoja në emër të antikomunizmit, u rrëzuan dhe u thërrmuan edhe monumentin këtyre heroinave të dritës, që u flijuan për hir të patriarkalizmit, pavarësisht ngjyrave ideologjike me të cilat u mbulua ky veprim dy herë makabër.

    Çfarë mund të bëhet?

    Ligjet tona nuk janë të mangëta. Padyshim ka shumë vend për përmirësime, por ato janë mjaft të ngjashme me ligjet europiane. Ka dhe manuale se si duhet të veprojnë gratë e kërcënuara nga bashkëshorti apo partneri – është një manual shumë i vyer, i botuar nga OSBE para pak vjetësh,  ku shpjegohet qartë se si dhe ku duhet ta gjejë mbështetjen një grua e dhunuar apo e kërcënuar. Por, megjithë thjeshtëzimin e shpjegimit, burokracia e kërkesës për mbrojtje e të tjera rregullore të ndërlikuara, e vështirësojnë punën. Duke lexuar manualin, dëgjova dhe një lajm nga Italia, ku shqiptarin e dhunshëm, që e kishte denoncuar e shoqja, policia e kapi, e dënoi me arrest shtëpie dhe i vuri byzylykun te këmba.

    Nuk mund ta përdorim dhe ne këtë masë?

    Po vetting-u? 

    Fjala vetting ka marrë një kuptim të dytë, që lidhet kryesisht me pasuritë e njerëzve të ligjit dhe me ndëshkimet që mund të pësojnë.  Në të vërtetë, reforma gjyqësore ka lidhje me shumë aspekte dhe njeri prej tyre është dhe dimensioni gjinor. Që do të thotë? Po përpiqem ta shpjegoj me një fakt të thjeshtë. Nga studimet e vëzhgimet e kryera nga shoqatat, megjithëse divorci tek ne është lehtësuar shumë dhe mund të arrihet në një javë, del se gratë që kërkojnë divorc mund të presin edhe gjashtë a shtatë vjet e nuk ndahen dot nga burri me të cilin nuk duan të jetojnë më. Përse? Sepse burri i pasur, ose burri me shumë lidhje, po i pasuri veçanërisht, paguan për të mos u ndarë, për të mos ndarë pasurinë, për të mos paguar për fëmijët ose dhe thjesht për të nxirë jetën e ish gruas. Reforma e re e rregullon këtë çështje – të paktën kështu ma kanë shpjeguar eksperte e specialiste. Nëse një gjykatës nuk e zgjidh padinë e divorcit brenda një afati të caktuar (ta zëmë tre muaj maksimumi) atëherë ai shkarkohet automatikisht. Nuk më duket keq!

    To be continued…..

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al