• Shqip
  • English
  • E hënë, 20 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Politikë Të gjitha

    Ka një problem me deputetin e ri të LSI


    Nuk jam tradhtar, ishte deklarata që bëri deputeti i ri i LSI, pasi pranoi mandatin. Ylli Shehu u betua në Kuvend me datë 4 mars, por në formularin e vetë-deklarimit, ose në formularin e dekriminalizmit të depozituar në KQZ, ka fshehur një dënim për kontrabandë, falsifikim dokumentesh dhe falsifikim të vulave, stampave apo formularëve. Mësohet se Gjykata e rrethit Gjyqësor të Korçës ka dhënë vendimin që i përket datës 18 nëntor 2008.

    “News 24” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Korçës, që e gjen fajtor Shehun, i cili si dënim duhet të paguante 600 mijë lekë të rinj, për të tre vepra penale. Në vendim thuhet se Shehu kishte futur në Shqipëri në muajt tetor-nëntor 2003, një automjet BMW X5, pa paguar detyrimin e saktë doganor dhe kishte dashur ta targonte duke paraqitur në Degën e Koganës Korçë dokumenta të rreme zhdoganimi. Gjykata vleresoi se nëpërmjet këtij veprimi, Ylli Shehu kishte mundur të shmagej nga detyrimi doganor në shumën 1.110.109 lekë, duke paguar vetëm 154.421 lekë.

    Gjykata e Korçës, parashtron se dokumentet e parqitura kishin bërë të mundur që Ylli Shehu të merrte deklaratën doganore dhe më pas këtë deklaratë ta ndryshonte në përmbajtje, në vula, shkrime e nënshkrime të Doganës Korçë. Më pas, këtë deklaratë së bashku me dokumentet e tjera të mjetit BMË X5, i kishte dorëzuar në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë, ku kishte bërë edhe targimin. Pas këtyre veprimeve, Shehu kishte shitur mjetin në 11 shkurt 2004.

    Sipas dokumenteve, avokati mbrojtës Robert Hysa, gjatë procesit kishte pohuar se i pandehuri Ylli Shehu i pranonte akuzat dhe se ndihej i penduar. Madje kishte kërkuar edhe masa lehtësuese për arsye se i mbrojturi prej tij ishte pa precedent penal, në kushte të vështira ekonomike e familjare.

    Në fund të gjykimit Gjykata kishte vendosur dënimin me 200 mijë lekë të rinj për secilën vepër penale ndaj Ylli Shehut. Ky dënim i nëntorit 2008 është fshehur në deklaratën e dekriminalizimit, detyrim ligjor për çdo zyrtar të lartë të zgjedhur.

    Në formular, Ylli Shehu ka përmendur vetëm dënimin e marrë në 20 mars 2007, nga Gjykata e Tiranës, po për kontrabandë dhe ku dënohej me gjobë në 200 mijë lekë të rinj. Por edhe këtë vendim, menjëherë pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin në Kuvend në vitin 2015, Shehu e kishte fshehur. Por që bëri plotësimet e nevojshme pak më vonë, e për pasojë nuk u mor asnjë vendim për ndërprerjen e mandatit./ Tiranapost.al. E.B