Qyteti

"Juventus" zbret sot në Fushat Multisportive të Liqenit

"Juventus" zbret sot në Fushat Multisportive të Liqenit

Kushtet fantastike që ofrojnë fushat multisportive në Parkun e Liqenit kanë bërë që ky kompleks të përzgjidhet nga Akademia e Juventus për trajnim.

Juventus Academy Tirana me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, organizojnë sot në orën 17:00 te Fushat Multisportive stërvitjen për moshat 9 – 12 vjeç nën drejtimin e trajnerit Gianluca Settanni dhe trajnerit Blendi Bahuli që do të stërvitë portierët. Ky trajnim është një mundësi e re për të gjithë fëmijët shqiptarë të apasionuar pas futbollit që të ndjekin ëndrrën e tyre në sportin më popullor në botë.

Juventus Academy Year-Round Training është një program vjetor i krijuar për të përhapur dhe zhvilluar vlerat dhe metodën e Juventusit edhe jashtë kufijve italianë.

Projekti i Juventusit u jep mundësi fëmijëve që të punojnë sipas metodologjisë së Juventusit dhe nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin teknik apo taktik, por edhe të sjellë eksperiencën në formimin e fëmijëve si persona e si futbollistë. Juventusi ka 54 akademi të saj në mbarë botën dhe 100 kampe verore ku të regjistruar janë mbi 15 mijë fëmijë.

Fushat multisportive në Parkun e Liqenit janë ndër më të frekuenturat nga të rinjtë që merren me sport. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, ky kompleks ofron për qindra të rinj të kryeqytetit mundësi për lojëra basketbolli, volejbolli, futbolli, regbi, hendboll dhe hokej etj.