• Shqip
  • English
  • E diel, 18 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Personazh Showbiz Të gjitha

    Jo, i dashur Rezart, nuk flitet kështu për një grua, edhe nëse të ka tradhtuar


    Faqja e aktorit të Portokallisë, Rezart Veleshnja, këtë të diel është e bombarduar nga story-t. Pasi vetë Rezarti shpalli publikisht tradhtinë e të dashurës, vërshuan mesazhet mbështetëse në adresë të tij, të cilat ai i publikoi me emër e mbiemër, pa harruar që t’u kthente përgjigje një më një të gjithëve, duke përdorur gjithë arsenalin e sharjeve nga më banalet në adresë të ish-të dashurës, sigurisht edhe pa harruar t’i bëjë tag asaj, ta bëjë publike, se ndryshe ç’u pa puna. Pra, qëllimi i Rezartit ishte ta diskreditonte para gjithë botës dhe ja ku bëri. Po të kemi parasysh që ai është një aktor, profilin e të cilit e ndjekin mbi 76 mijë njerëz, do të thotë se Rezarti e ka arritur qëllimin e tij. Po të kemi parasysh edhe që portalet shkruajnë lajme edhe për shumë më pak se kaq (dhe sot nuk zhgënjyen askënd. Lajmi mori dhenë), atëherë shumë më shumë sesa 70 e ca mijë sot kanë mësuar se Rezartin e ka tradhtuar e dashura, se ai i ka blerë një unazë shumë të shtrenjtë diamanti, se sot ai i tha edhe fjalën e fundit dhe mbi të gjitha që Rezarti është tërbuar. Sepse vetëm një njeri që e ka humbur arsyen mund të arrijë deri këtu sa të vjellë një ngjarje kaq intime mu në mes të gojës së ujkut.

    Seç shije mund t’i ketë lënë atij tradhtia e saj, këtë e di veç ai. Mbase me të drejtë i është turbulluar arsyeja. Mbase është aq i zhgënjyer sa e ka humbur toruan deri në këtë pikë. E megjithatë, të nxjerrësh jetën tënde në pazar mbase nuk është zgjidhja më e mirë, edhe nëse kënaqësia që po merr tani Rezarti mund të jetë melhemi për plagën që i ka hapur pabesia e të dashurës. Mjetet e komunikimit sot mund të të shkatërrojnë jetën për 1 sekondë, por janë po aq të dobishme për të ta lehtësuar jetën. Shërbejnë për t’u sqaruar me kë të duash. Nuk jemi të sigurt nëse fatura që po paguan sot ish e dashura e Rezartit ka çmimin e rëndë të linçimit veç për të. Po të hedhësh një sy nëpër komentet që njerëzit kanë lënë nëpër profilet e portaleve të ndryshme, edhe Rezarti po paguan jo pak. Shumë nga ata që kanë lexuar story-t e tij dhe lajmet nëpër media jo vetëm që nuk janë dakord me veprimin e tij, por kanë përdorur kundër aktorit po të njëjtën gjuhë që ka përdorur ai kundër të dashurës.

    Po ç’i intereson kjo Rezartit? Atij i duhen veç mesazhet mbështetëse që i vijnë atij në telefon dhe hakmarrja aspak e ftohtë që po servir kundër asaj që me sa duket e ka dashur shumë. Në këto momente nuk është as komediani që të bën për të qeshur në portokalli, as Rezarti me batuta në majë të gjuhës, është një burrë i lënduar dhe sedra e lënduar e një burri në Shqipëri ka prodhuar jo pak herë tragjedi. Sot Rezarti mbase është duke frikësuar të dashurat e ardhshme, që do mendohen dy herë para se të lidhen me të. Mbase do vijë një ditë që nuk do ta pëlqejnë më, dashurojnë më. Të gjithëve iu ndodh. E nëse ndahen, përfundojnë portaleve? Besojmë se Rezarti nuk është i vetmi që është ndier i tradhtuar. Bota është më e lashtë se kaq. Por jo, Rezart kjo nuk do të thotë se ti ke të drejtën të flasësh kështu për një grua, cilado qoftë. Kjo e sotshmja nuk është shfaqja jote më e mirë, edhe pse role ke bërë me qindra.