• Shqip
  • English
  • E premte, 24 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Opinion Të gjitha

    Me jetë të gjatë, i dashur Thomas!


    25 rreshtat e Mirës… Sot, mikesha ime prej më shumë se një dekade, Ilva, u bë mami e një djali të pagëzuar me emrin amerikan Thomas. Zgjedhje e babi Eduardit, që beson tek Amerika në çdo gjë, edhe se emrat janë më fatsjellës.

    Mira Kazhani/Sot, mikesha ime prej më shumë se një dekade, Ilva, u bë mami e një djali të pagëzuar me emrin amerikan Thomas. Zgjedhje e babi Eduardit, që beson tek Amerika në çdo gjë, edhe se emrat janë më fatsjellës. Ne, me siguri, do përfundojmë duke i thirrur Tomi, kur ai të rritet, po kjo puna e emrave më duket diskutim pak teorik, sepse në jetë çdonjëri nga ne i jep emrit të tij një kuptim unik. A ju ngjajnë dy Vera, dy Diana, dy Taulantë bashkë? I njëjti emër sjell imazhe tërësisht ndryshe dhe emrat e njëjtë janë kaq të ndryshëm.

    Nuk marr dot përsipër të flas për ndjesitë e nënave, se nuk jam. Ndoshta një ditë do jem! Por i dua shumë fëmijët. Di të ndërroj edhe pelena dhe t’iu vij pas avazit. Por vetëm kaq! Sot kur shihja në maternitet Thomas-in, për të njëqindën herë, me përafri mendova për atë hapësirën mes dy çasteve që ndryshojnë jetën e dikujt. Thomas-i, si një top sheqeri, ka ardhur nga një botë me ujë dhe me mikrofona (në fakt, mbrëmë ka qenë live tek “Ora News” dhe duhet të ketë ndjerë që një burrë i gjatë i ka puthur dorën mamit të tij. Ishte Kryeministri Edi Rama, Thomas, që kur të jesh ti burrë, ai, bashkë me ne të tjerët, do jetë në pension) në një qytet të vogël dhe me shumë njerëz, që nxitojnë, a thua se jetojnë në Hong Kong dhe iu duhen 3 orë për të mbërritur në punë. Meqë je çun, duhet të mësosh se për makina vdesim dhe e përdorim atë edhe për të blerë një bukë, 5 minuta larg shtëpisë. Ngaqë e kemi me nxitim, jo për gjë.
    Nxitojmë kur jemi në makinë. Kur jemi në shkollë të mesme duam të jemi të rritur dhe me makina Mercedes, mundësisht. Vajzat i veshin takat dhe getat para kohe. Një pjesë është pasuruar me nxitim dhe brenda 25 vjetësh ne kemi fshatra të pasurish, që jetojnë si aristokratë 500-vjeçarë dhe sillen siç janë në të vërtetë, si ish-të varfër! Me siguri mbajnë dhe piano, si vjenezët dhe detyrojnë fëmijët të shkojnë në kurse, oh sa në shumë kurse i çojnë, nuk e ke idenë, i dashur banori më i ri në qytet! Uroj që ti mos e lejosh këtë gjë. Nuk ia vlen të bësh gjëra që të tjerët duan për ty. Nëse do kesh vesh muzike, mirë. Mami jot ka qenë e talentuar në violinë, por më ka treguar që nuk kishte vullnet e si kokëfortë zgjodhi një profesion aspak melodioz.
    Fëmijët seç kanë këtë magjinë sikur vijnë nga dorë e Zotit, janë të sinqertë e engjëj dhe pastaj bëhen njerëz. Të mendosh që të gjithë maskarenjtë e kësaj botë kanë qenë bebe: të gjithë nobelistët, shkencëtarët, presidentët, sportistët, heronjtë, aktorët e famshëm… por gjatë rrugës marrin drejtimin e tyre. Disa nuk drejtohen asnjëherë! Tipi jot më pëlqen Thomas, se ti nuk e kishe me nxitim. Dua të të uroj një jetë të gjatë dhe pa piano! Të jesh sa më gjatë fëmijë.
    Me dashuri
    Mira