Aktualitet

A do jetë Albin Kurti kryeministri i ri i Kosovës?

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti, u bëri thirrje partive politike të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që t’i fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një konference për gazetarë, dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ku partia e tij lëvizja Vetëvendosje doli në vendin e dytë, pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Kurti tha se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime dhe se sipas tij qeveria e re duhet të jetë qeveri e ndryshimeve. Ai u bëri thirrje posaçërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës që të ulen dhe të bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re.

Por nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kjo thirrje e Kurtit është e vonuar. “Mendoj që është e vonuar. Sot përkundër që është e vonuar është e mirëpritur, i takon të bëjë veprime të tilla, ne jemi unik me partnerët e koalicionit. Ne garantojmë që në raport me PDK-në, historia e partneritet është mbyllur”. Rezultatet paraprake e nxorën fitues koalicionin PDK-AAK-Nisma, por pa shumicën e mjaftueshme për ta formuar qeverinë.