• Shqip
  • English
  • E martë, 28 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Jeshilja e harresës dhe aspak e dashurisë


    Mira Kazhani/ Shumë njerëzve mbase nuk iu ka rënë rasti, jeta, e mira apo edhe halli të kalojnë nga natyra e egër, jeshile dhe e mbytur në bukuri, siç është Liqeni i Ulzës, poshtë një qyteze të vogël me të njëjtin emër, në Mat, vetëm një orë e pak larg Tiranës.

    Unë jam rritur në ato gjarpërime, duke shtypur faqet në xhamin e autobusëve, fugonëve, teksa bëja rrugën nga Burreli në Tiranë. E vogël, mendoja se e gjithë Shqipëria ishte kaq e bukur dhe, edhe më e bukur se liqeni jeshil që shihja unë, tunelet pak të frikshëm, malet që dukeshin si bodygardë të udhëtarëve, të cilët sidomos kur e kishin për herë të parë, përjetonin frikë nga lartësia dhe liqeni që qëndronte poshtë, i bukur por i rrezikshëm. Më vonë mësova se ne të anës së Veriut të butë, Mat e Dibër, kishim një natyrë përrallash dhe që, me gjasë, as që e dinim. Por, kjo zonë është e harruar dhe me Rrugën e Arbrit – që u bëftë e bukur dhe e mirë – Mati rrezikon të vdesë e bashkë me varfërinë që do t’i shtohet varfërisë, edhe përralla e liqenit dhe maleve, lëndinave ku kapeshin flutura për “Fluturën në kabinën time”, do mbeten në fatin e tyre, në vetmi!

    Këtë javë isha në Ulëz, në qytezën që ka fatin të ngrihet mbi liqenin dhe fushat e bukura, të blerta, me manushaqe, luledele dhe disa bimë që ngjajnë me çajin e blirit.

    “Ulza Eco Park” është një projekt-ide, që po çohet përpara nga deputeti Ilir Beqja, i cili ishte dhe njeriu që më kontaktoi për moderimin e një aktiviteti, meqë jam ‘cucë matjane’. Se mbase dëgjoni fjalëkalimin “Beqja” dhe mendoni se jam paguar. Jo! Ishte veç një bashkëpunim vullnetar, për të dhënë secili kontributin e vet. Shkova dhe pashë se liqeni ishte mbushur me kanoe, të rinj që lundronin nëpër liqen, një skaf i bardhë kish ardhur bashkë me të zotin e tij, Nduen nga Fierza, i cili më tregoi se e kishte blerë për qejfin e tij dhe dilte me shokët në Fierzë.

    Aktiviteti ishte ndërtuar si një ide sesi mund të bëhej kjo zonë. Parashikohej ndërtimi i një hoteli me yje, sigurisht dhe disa bujtina. Por duhej një fotografi për të joshur investitorët, të cilët ndoshta do vijnë. Duhet edhe një shembull për banorët. Në Instagramin tim postova disa foto dhe video në Instastory dhe sikur mos të tregoja që isha në vendlindje, mund të fitoja çdo quiz, sepse askush nuk do e gjente vendndodhjen, as ministri i Turizmit, që vinte për herë të parë, Blendi Klosi, i cili më tha se pas Dhërmiut ky vend e mahniti. Tani, mbetet për t’u parë nëse “Ulza Eco Park” do dalë nga letra. Të mos jetë vetëm jeshile, sepse në një çast ambasadorja gojëmbël, Lea e Sllovenisë, i tha kryetarit të Bashkisë së Burrelit: Kujdesuni shumë, ruajeni green (jeshilen, mjedisin). Me të drejtë dhe mirë e kish ambasadorja, por unë, në shqip, nën zë, i thashë: Pa merak, se këtu nuk ka vënë njeri dorë. E duan aq shumë, sa e kanë lënë vetëm jeshile. Në fakt, jeshilja e harresës, aspak e dashurisë!

    Po të shkoni një ditë atje, do t’ju vijë keq e do t’ju dhimbset gjithë ajo bukuri që shkon dëm!  25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post