• Shqip
  • English
  • E shtunë, 19 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Jashtë Rozmarinës Rozmarina Të gjitha

    Jemi që jemi në dietë, provojmë dhe një gjë tjetër?!


    Përpara një viti, termi intermittent fasting nuk i thoshte gjë thuajse askujt, sado mirë të ishte me anglishten. Por u deshën disa dëshmi VIP-ash nëpër botë, pastaj këtu tek ne postimet në Instagram dhe të gjithë nisën të flisnin për mënyrën më të re të të ushqyerit, ngrënien brenda një orari të caktuar dhe agjërimin në pjesën tjetër të ditës, që të lejonte të humbje kilogramë pa vuajtur as nga uria dhe as nga nepsi. Unë dëgjova për këtë diku nga vera dhe që nga gushti deri në dhjetor, i jam nënshtruar rregullisht këtij regjimi. Ideja është e thjeshtë: ha gjithçka që do (mua më pëlqen të mendoj se mund të ha gjithçka, por gjithsesi nuk duhet tepruar) brenda tetë orëve dhe në 16 orët e tjera mund të pish vetëm ujë ose edhe kafe e çaj pa sheqer dhe çdo gjë tjetër nën 30 kalori (unë kam kërkuar ushqime të tilla por s’kam gjetur, nëse i gjen kush, do jem e lumtur të mi thotë). Eshtë një regjim ushqimor që ndiqet shumë kollaj: mjafton të gjesh orarin e duhur, sipas ritmit të ditës tënde. Fillimisht unë provova orarin “zyrtar” 8 me 4, madje disa herë kam ngrënë dhe dy dreka, në një 12 dhe një në 3 e gjysmë. Por ky regjim ose rrezikonte të më bënte josociale, duke më mbyllur çdo darkë në shtëpi, ose më vinte para sprovash të forta kur dilja me njerëz në bare dhe restorante dhe të tjerët hanin e pinin gjithë gjërat që do doja unë, teksa mjaftohesha me shishen e ujit… Pas spostimit dhe sakrificës së mëngjesit të pangrënë, gjithçka u bë shumë e thjeshtë dhe mu kthye në stil jetese: që pas një muaji e gjysmë me këtë regjim dhe palestër të rregullt, arrita sërish të vesh gjithë fustanet e bukura që kisha blerë disa vjet më parë dhe që nuk më mbërtheheshin prej kohësh… Duket pako gjë, por për ne gocat, që gjithë paratë i kemi shpenzuar në veshje, është shumë.

    E kisha shtyrë rifillimin e këtij regjimi (festat e fundvitit prishin çdo rregull) deri pak ditë më parë, kur teksa gjatë fundjavës merrja informacione për dietën KETO (sfida për të qëndruar dhjetë ditë pa karbohidrate dhe sheqerna, më poshtë gjeni piramidën ushimore në linkun e shkrimit), mes rregullave të ushqyerjes më doli përpara sërish termi intermittent fasting. Sipas më shumë sesa një burimi, pas shmangies së gjithë brumrave dhe sheqernave dhe zëvendësimit të tyre me yndyrna dhe proteina, kur metabilizmi hyn në fazën e quajtur ketosis, trupi nis të djegë dhjamin për t’u furnizuar me energji. Në këtë fazë rekomandohej dhe nisja e regjimit intermittent fasting, pra shmangia e një vakti dhe ngrënia e ushqimeve ditore brenda një tetë orëshi. Kur e lexova nuk mendoja se mund ta bëja, mu duk e tepërt, por në ditën e tretë të sfidës #nocarbsnosugar e kuptova që jo vetëm nuk ndihesha e uritur, por një lloj veljeje që vinte nga yndyrnat më mbante larg nga ushqimi. Ndaj dhe nuk ka moment më të mirë për ta nisur sërish: sot, në ditën e katërt, e provova dhe ndihem shumë mirë. Kush bën një bën dhe dy. Jemi gati? Kush do të na bashkohet?

    P.S. ju lutem mos më kërkoni plan ushqimor në inbox, këto ditë po tregoj thjesht përvojën time. Dietologet, nutricionistet janë personat e duhur që duhen konsultuar.

    http://www.tiranapost.al/sekretet-e-sfides-se-dietes-10-ditore-u-bera-dhe-une-te-jap-keshilla/?fbclid=IwAR1199SgSsICl8lmgyJWo706B842bSe_ivq2Q8zZi7kD-9oC3IOVeCnot9o

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]