Blogu i Rërës Libra Te gjitha

Jean-Paul Sartre ose neveria e dukjes


Është ky romani që më së miri shpalos filozofinë e Sartrit, i cili thoshte se realiteti gjendet vetëm në veprimet tona pasi njeriu është projekt i vetes, siç i poshtri është vetë përgjegjës për poshtërsinë e tij. “Njeriu krijon vetveten, nuk lind si një qenie e kompletuar por vetëkrijohet duke zgjedhur moralin e tij”, do të shkruante më pas te “Ekzsitencializmi është humanizëm”.

Nga Erjon Uka/ Jean-Paul Sartre është ndoshta filozofi që e ka përdorur më shumë se kushdo tjetër letërsinë në funksion të ideve të tij filozofike ekzistencialiste. Në Francën e pasluftës, së bashku me Simone de Beauvoir, e shndërroi filozofinë nga një “privilegj” të pak personave të aristokracisë apo borgjezisë europiane, në diçka të kuptueshme e të arritshme për njerëzit e thjeshtë. E këtë e arriti nëpërmjet romaneve, teatrove, eseve, së bashku me protestat apo manifestimet në rrugë.

Sipas gjykimit të vetë Sartrit, romani i tij më i mirë është “Neveria”, që është edhe i pari gjithashtu. Është një vepër tipike ekzistencialiste, rrymë që lindi dhe u zhvillua si reagim kundër qasjes së deriatëhershme filozofike ndaj objekteve dhe kuptimit të sjelljes njerëzore. Ekzistencializmi, që filloi me danezin Kierkegaard, vazhdoi me Niçen e Dostojevskin në letërsi për të arritur kulmin me Hajdegerin në Gjermani dhe Sartrin në Francë, ishte boshti i kulturës franceze deri në vitet ’80.

Gjatë manifestimeve në Paris.
Gjatë manifestimeve në Paris.

“Neveria” nis me një shënim të botuesit, i cili paralajmëron se faqet pasardhëse janë gjetur mes letrave të Antoine Roquentin, një ditar që fillon në janar të vitit 1932 fill pas kthimit të tij nga udhëtimi në Lindjen e Largët, Europën Qendrore dhe Afrikën e Veriut. Roquentin u vendos bregdetin e Beuvilles për të shkruar një libër rreth Markezit de Rollebon.

Por ndjen se perceptimi i tij për gjërat që e rrethojnë ka ndryshuar, megjithëse nuk mund të përcaktojë me përpikmëri se çfarë. Prandaj për të zbuluar se ç’po ndodh vendos të mbajë një ditar, ku shkruan edhe momentin e parë të ndjenjës së neverisë kur po hidhte një gur: por kjo ndjenjë i erdhi nga guri, apo nga ai vetë? Pavarësisht se në fillim tenton t’i quajë të gjitha këto si momente kalimtare, faqe pas faqeje në ditar arrin në përfundimin se ka hyrë në një gjendje ankthi si ndaj njerëzve, ashtu edhe ndaj objekteve. Tenton ta refuzojë këtë realitet, duke e quajtur “ndryshim abstrakt”, por jo më larg se ditën pasardhëse pranon fatin e tij, duke shkruar se stili i jetës së vetmuar e ka ndryshuar. E ka të vështirë të krijojë marrëdhënie njerëzore dhe kur kërkon brenda vetes për përgjigje, nuk gjen asgjë tjetër përveç zbrazëtisë. Ndërkohë që edhe kërkimet për Markezin kanë filluar ta bezdisin, pikërisht për atë personazh që deri pak kohë më parë ishte i magjepsur. Mendon se po shkruan më shumë bazuar në hamendësime, se sa në fakte reale, ndërsa puna i rikthen neverinë për botën e jashtme, aq sa kur shihet në pasqyrë nuk e njeh më veten.

Është ky romani që më së mirë shpalos filozofinë e Sartrit, i cili thoshte se realiteti gjendet vetëm në veprimet tona, pasi njeriu është projekt i vetes së tij. I poshtri është vetë përgjegjës për poshtërsinë e tij. “Njeriu krijon vetveten, nuk lind si një qenie e kompletuar por vetëkrijohet duke zgjedhur moralin e tij”, do të shkruante më pas te “Ekzsitencializmi është humanizëm”. Njeriu ekzistencial është i dënuar të jetë i lirë dhe të zgjedhë, pasi ekzistenca i paraprin esencës. Krijimtaria letrare bëhet kura e vetme e Roquentinit për të njohur vetveten e për të zhdukur neverinë. Ai kupton se lejlaja është thjesht një ngjyrë, ngjyra thjesht një ide dhe emri “lejla” është krejtësisht i papërshtatshëm për të përshkruar diçka që ai nuk e ka shikuar më parë. Prandaj arrin në konkluzionin se esenca është thjesht fasada që mbulon lakuriqësinë e ekzistencës.

Vazhdimisht, pa rreshtur, njerëzit e mbushin veten e tyre me esencë, por e keqja është se përqendrohen vetëm tek ajo pa ndërtuar thelbin e qenies së tyre. Personazhi i Sartrit, Roquentini, provonte neverinë si një ndjejë që shkaktohej prej ngjyrave, aromave, peshës dhe dukjes së objekteve. Ajo që mendon është se esenca e një njeriu apo objekti nuk ekziston, por është krijim i vëzhgimit të tij, e në këtë pikë duke u ballafaquar me ekzistencën e zhveshur të objekteve dhe të atij vetë, esenca zhduket duke e bërë të ndjejë dhembje stomaku, ose neveri. Sartri vetë pohonte se procesin e të shkruarit, për të cilin thoshte se nuk kalonte asnjë ditë pa shkruar të paktën diçka, e përdorte për t’i dhënë esencën që donte vetes.

Funerali i Jean Paul Sartre ne Paris, ku morën pjesë mbi 50,000 persona.
Funerali i Jean-Paul Sartre në Paris, ku morën pjesë mbi 50,000 persona.

“Neveria” është romani i parë i Jean-Paul Sartre, i ndjekur më pas nga tregimet te “Muri”, trilogjia “Rrugët e Lirisë”, autobiografia “Fjalët” dhe shumë drama si “Me dyer të mbyllura”, “Mizat”, “Putana e respektueshme”, “Duar të ndyra”, “Djalli dhe zoti i mirë”. Në vitin 1964 fitoi çmimin Nobel në letërsi dhe deri më sot është i vetmi që e ka refuzuar atë, pasi mendonte se përsa kohë një person është gjallë, procesi i krijimit vazhdon në mënyrë të parreshtur dhe çdo çmim cënon lirinë e tij. Punimet më të rëndësishme filozofike janë “Qenia dhe hiçi”, “Ekzistencializmi është humanizëm”, “Trashendenca e egos” dhe “Imagjinarja”./Tiranapost.al