Aktualitet

Janna Jihad, gazetarja 10-vjeçare që lufton për Palestinën

Janna Jihad, është një vajzë 10 vjeç nga Palestina, e cila tashmë bën pjesë në rrethin e gazetarëve. Janna është shembulli më i mirë që na tregon se nëse vërtet e dëshiron një gjë, mosha nuk është tregues i asgjëje; dhe jo vetëm mosha por edhe vendi në të cilën të caktohet që të lindësh. Edhe pse akoma një fëmijë, ajo duket se e ka bërë zgjedhjen e saj me dëshirën për një Palestinë më të mirë.

Janna, vajza me flokët e saj të gjatë e të dendur dhe me sytë plot dritë, filloi rrugëtimin e saj drejt të vërtetës pa u trembur, në momentin kur humbën jetën xhaxhai dhe shoku i saj më i mirë, në moshën 7 vjeçare.

Tani, ajo ngre zërin për të gjithë fëmijët e Palestinës me thirrjen për drejtësi. “Edhe fëmijët e Palestinës kanë të drejtën të edukohen, të kenë kujdes shëndetësor dhe te ndihen të lirë si të gjithë fëmijët e tjerë në mbarë botën”, thotë Janna.

Para dy javësh, Janna Jahid u nderua nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan , gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Bamirësisë në Stamboll. “Edhe pse shumë e lumtur për çmimin” - tha ajo e përlotur, “ jam njëkohësisht edhe shumë e trishtuar për shumë fëmijë që vazhdojnë të vriten në Palestinë.”

Mënyra si ajo përballet dhe raporton ngjarjet e shëmtuara që izraelitët veprojnë kundra palestinezëve është për t’u admiruar.

Mbetet vetëm të urojmë me dëshirën më të madhe rënien e kambanës që lajmëron fundin e këtij tmerri që njerëzit e Palestinës po përjetojnë./Tiranapost.al