• Shqip
  • English
  • E premte, 20 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha TIP top

    Janë thjesht pushime, ndaj le ta marrim shtruar


    Nga Iva Tiço/“Ku do shkosh këtë verë me pushime?”, ishte pyetja që m’u bë më shumë sot në rubrikën “ask a question” në Instagram dhe për të parën herë ia kaloi asaj “kur do martohesh?”.

    Për të parin vit nuk m’i ngriti nervat një pyetje e tillë, por sqarova qetë-qetë planet e mia, që nuk do më vinte aspak keq edhe po të anuloheshin, për aq kohë sa qëllimin kryesor që i vë vetes për pushime e kam realizuar pa u mbyllur qershori: jam nxirë dhe bërë sterrë dhe jam e kënaqur dhe me kaq. Por, thellë-thellë edhe jam qetësuar në përgjithësi dhe jam dorëzuar, nuk acarohem dhe aq kollaj: dikur kjo pyetje më dukej njëlloj me atë “sa e ke rrogën”, por tashmë e kam kuptuar se kjo e pushimeve nuk është më bisedë për të bërë tangërllik se kush shpenzon më shumë dhe kush kalon më mire, por argumenti i duhur për t’u qarë: “dy javë janë të shkretat dhe nuk u kënaqëm fare”.

    Qahemi që nga zgjedhja e destinacionit e deri për njerëzit që kemi me vete. Me shpirt do Turqinë, por ja që ai deti se si është… Epo dhe kur e mbledh mendjen nga deti, se është ai që është, ankohet njeriu se lodhet duke ndenjur gjithë ditën shtrirë dhe pa bërë asnjë punë. Derr bëhesh në Turqi: ha, pi, rri dhe ha prapë pa lëvizur nga vendi, të vjen në majë të hundës dhe ai luksi. Ndaj më mirë të lodhesh e t’i hipësh makinës. Të shkosh andej nga Jugu i Shqipërisë dhe çdo ditë të lëvizësh e gjesh një plazh të ri. Dhe pastaj të ankohesh që i kalove pushimet në makinë dhe je munduar sa për gjithë vitin. Ose të ankohesh për italianët e shumtë në Jug që na kanë zënë plazhet, për polakët në Durrës e kosovarët kudo. Ne mezi ia dalim për vete dhe këta kemi mangut tani, që na zënë rërën e guriçkat, restorantet, shezlongët.

    Pastaj ankohemi për çmimet. Turqia këtë vit është rritur ca në krahasim me vitet e shkuara. Por dhe këtu tek ne nuk është hiç lirë. Ankohen ata që kanë dhe ikin jashtë, sepse resorti luksoz nuk ka pishinë me ujë të kripur dhe temperatura e dhomës i ftoh. Ankohen dhe ata që kanë dhe rrinë këtu, se me aq lekë kalojnë ku e ku më mirë jashtë. Ata që s’kanë po e po, ju takon me ligj të ankohen. Siç u takon të gjithëve të ankohen për shërbimin, dhomat, kamerierët, restorantet, kuleçët e mamit që dikur ishin më të shijshëm, domatet e dyqanit dhe ato të “fshatarit”, mushkonjat, ventilatorët, kondicionerët, zhurmën e diskos, mungesën e diskove e të variaciove për të kaluar pasditen, për birrat e ftohta e birrat e ngrohta, ujin me orar, gjeneratorët, rrobat e banjës që të shtrëngojnë, lëkurën që nuk po na nxihet, diellin që na ka djegur shumë e na ka bërë njolla, celulitin, estetisten që të lë pa depiluar kur duam ne se ikën vetë në plazh, për burrin që e merr gjithmonë lejen në korrik dhe asnjëherë në gusht kur do ti, për të dashurin që do të ikë me shokët dhe të lë ty pa pushime, për burrin që merr dhe mamanë me vete, për mamanë tënde që i llaston shumë fëmijët gjatë kohës së plazhit, për shoqen që të lë në baltë se në momentin e fundit ikën me të dashurin me pushime, për grupin e miqve që nuk vendosin dot se ku do hahet dreka, për prindërit që ta nxijnë duke të thënë që pas orës 12 ka rreze të këqija dhe nuk duhet të dalësh në diell, për fëmijët që nuk të lënë të ngresh mezin nga lodhja, për fëmijët adoleshentë që nuk duan të vijnë më për pushime me ty, për fëmijët e vegjël që të duan gjithë ditën nga pas dhe nuk të lënë të lexosh një libër, për fëmijët e mëdhenj që të tallin për librin që ke marrë apo për fjalëkryqin, për shefin që të shkruan në celular dhe të pyet për gjërat e punës kur ti je me pushime, për burrin që luan gjithë ditën tavëll me shokun e vet dhe nuk ecën me ty anës detit, për kohën që nuk shtyhet fare, për pushimet që mbaruan kaq shpejt…

    Ankohemi të gjithë, para se të ikim. Por dhe kur vijmë. Pastaj janë dhe gazetarët, kronikat e lajmeve që ankohen gjithë ditën sa të gjithë ne bashkë.

    Dy javë janë të shkretat.
    Sikur të mos ankohemi hiç?!

    Do kemi së paku njëmbëdhjetë muaj të tjerë për t’i ëndërruar dhe për të thënë: herës tjetër do kënaqemi patjetër!/Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690