Aktualitet

Dy vjet burg për gjyqtarin që mori rryshfet për një vendim pronash

Dy vjet burg për gjyqtarin që mori rryshfet për një vendim

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë burgos gjyqtarin Ibrahim Hoxha. Ish-anëtari i togave të zeza është dënuar me 2 vite burg dhe pesë vite larg funksioneve publike. Gjyqtari i seksionit civil në Gjykatën e Tiranës akuzohej nga prokuroria për korrupsion pasiv për një vendim gjyqësor.

Mori 600 mijë lekë në këmbim të një vendimi gjyqësor, Gjykata e krimeve të rënda dënon me 2 vite burgim gjyqtarin e pezulluar nga detyra Ibrahim Hoxha. Për Hoxhën, Prokuroria kërkoi tre vite burgim ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai do të qëndrojë 24 muaj në qeli për të shlyer dënimin. Hoxha kishte rënë në kontakt me një palë në konflikt gjyqësor për një pronë dhe u kishte premtuar të mbante anën e tyre. Gjyqi do të zhvillohej më 3 maj të këtij viti. Hoxhës gjithashtu i është hequr për 5 vite e drejta për funksione publike.

Ngjarja

Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e 2 majit nën akuzën korrupsion aktiv e pasiv. Djali i tij, Ledion Hoxha, po merrte ryshfet rreth 6 milionë lekë për një vendim për një ndryshim trashëgimie në momentin kur është ndaluar.

Ndërkohë, gjyqtari Ibrahim Hoxha, i cili do të ndikonte në vendimin për çështjen e pronësisë, mësohet se e priste jashtë ambienteve të lokalit. Në dosjen e akuzës thuhet se gjyqtari po bënte gati vendimin për prishjen e vendimit të trashëgimisë në favor të Dritan Jazenxhiut, i cili ishte në gjyq me të motrën për prona të trashëguara nga e ëma.