Aktualitet

Ja pra, sa të pafuqishëm jemi!

Ja pra, sa të pafuqishëm jemi!

Sot banorët e Tiranës e Durrësit panë tmerr me sy. Nënat kërkuan fëmijët t'i merrnin në krah e mundësisht t'i strehonin në zemër. Fëmijët menduan për prindërit e moshuar, që ndoshta nuk kanë fuqi të vrapojnë. Të gjithë sot vrapuan dhe nuk bënë selfie, nuk menduan çfarë i kish vrarë pardje, çfarë do bënin nesër. Sot nuk kishte njerëz të pasur, as të varfër, sot ishim, si rrallë ndodh, të barabartë.

Komandën për jetën tonë e ka natyra dhe ne jemi vetëm aktorë në skenën e saj. Por, për fat të mirë, siç Konica e ka thënë magjepsshem mirë, Shqipërinë e shpëton rastësia. Tërmeti i 21 shtatorit mund të ishte një 21 i trishtuar dhe me datën 21 Shqipëria ka një kalendar tersi e tragjik. Mendojini vetë 21-shat! Sot mund të ishim ndarë me të dashur ose mund të kishim ikur edhe vetë, por ishim me fat. Ne, sepse politika shpëton sa herë vdesim; fatkeqësitë janë i vetmi moment ku shoqëria bashkohet dhe harrohen të gjitha, skandalet, veset, urrejtjet, mëritë, mosmarrëveshja e madhe. Civilizimet kanë ardhur gjithmonë pas shkatërrimeve, por këtë herë shpëtuam dhe sonte, para se të shtrihemi të flemë, të mendojmë më shumë për ç'ka ka rëndësi dhe të mos falim asnjë që tallet, që na bën keq, që na gënjen, se jetës nuk i dihet kurrë. Asnjë s'e di kur ikën nga skena, ndaj jo vetëm të duhemi më shumë, se kësaj shprehjes nuk ikën kurrë freskia sado ta përsëritësh, por meqë jemi gjallë, të jetojmë si të tillë. Jemi shumë më të pafuqishëm sesa mendojmë dhe ruhemi për një kohë që mund të mos vijë. S'kemi pse kursehemi, por të duam e të grindemi për çdo të drejtë që na takon e nesër, kur toka mos të dridhet më, të kërkojmë më shumë llogari, se veç ashtu ndihesh gjallë!