Shënime në Blog

J.D. Salinger, njeriu që shkroi librin perfekt

Romani që nxiti vrasjen e John Lennon. Shkrimtari që shiti miliona kopje dhe për gjysmë shekulli u mbyll në një shtëpi fshati. Kjo është historia e Jerome David Salinger, ushtarit që pa fundin e Luftës së Dytë Botërore në Bavari në prill të vitit 1945 i cili u bë shkrimtar i miliona kopjeve të shitura. Vendosi të zhdukej nga sytë e njerëzve, një mister që nuk është kuptuar ende.
J.D. Salinger, njeriu që shkroi librin perfekt

Nga Enrico Deaglio/ Kur Jerome David Salinger ndërroi jetë dhjetë vite më parë, asnjë nga misteret që kishin shoqëruar ekzistencën e një prej shkrimtarëve (ndoshta) më të dashur në botë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, nuk u zbulua. Asnjë testament publik, asnjë roman gati për t’u botuar, asnjë sekret.

Salinger vdiq në Cornish, New Hampshire, në moshën 91 vjeçare në një shtëpi modeste mes kodrave në të cilën ishte mbyllur vullnetarisht në vitin 1953. Që prej vitit 1965 nuk botoi as edhe një rresht të vetëm dhe madje kish angazhuar një grup avokatësh që të ndalonin botimin e ndonjë shkrimi të rinisë së hershme, të letrave private, të fotografive prej nga mund të shkruheshin komedi, drama apo vepra muzikale. Mbi të gjitha kërkoi që Hollywood të rrinte larg letërsisë së tij.

Pati një martesë, dy fëmijë dhe një divorc të shpejtë. Më pas edhe tre lidhje të tjera, por të shkurtra. Prej vitit 1988 ishte martuar me Colleen O’Neill, një infermiere 40 vite më e re nga e cila nuk ka asnjë deklaratë, e aq më pak ndonjë intervistë apo fotografi. Në thelb, Holden Caulfield, personazhi kryesor i librit “Roje në thekërishten buzë greminës” i botuar në vitin 1951, vdiq siç kishte dëshiruar që adoleshent: në një kasolle buzë pylli, larg botës, apo më mirë të thuhet larg “rracës njerëzore”. Ishte shkrimtari që nuk u shkëput dot nga personazhi i tij, apo ishte personazhi që e mbylli në një shtëpi fshati sepse nuk shkëputej dot nga ai? Ky është një mister që ka ushqyer një mit letrar pa fund.

Mund të thuhet se edhe fillimi ishte i jashtëzakonshëm. Gjithçka nisi në vitin 1952, kur në New York u botua romani i një shkrimtari të ri, që ishte vlerësuar shumë për disa tregime të shkurtra të botuara në “The New Yorker”. Kishin kaluar vetëm gjashtë vite nga fitimi i luftës, gjenerali Eisenhower ishte president i bombës atomike, “best generation” kishte arritur kulmin me Ernest Hemingway dhe Norman Mailer. Në këtë klimë konformiste, libërthi me titullin enigmatik “Roje në thekërishten buzë greminës” kishte si protagonist një djalë të pasur të përjashtuar nga shkolla, që endet për tre ditë në Manhatanin plot me mashtrues dhe njerëz hipokritë, përpara se të kthehej në shtëpi.

Ky personazh quhet Holden Caulfield, është shtatëmbëdhjetë vjeç (“dhe nëse doni vërtetë ta dini: jam ende i virgjër”), është një humbës por qesharak dhe i papërmbajtshëm. Titulli vjen nga skena mëmë e tregimit, kur motra Phoebe, dhjetë vjeçare simbol i pafajësisë dhe mençurisë, i kërkon se çfarë do të bëjë me jetën e tij dhe Holden imagjinon mijëra fëmijë që luajnë shkujdesur në një fushë thekre, pa e ditur se kufizohen nga një shkëmb i çmendur; por për fat është ai, Holden, i vetmi i rritur që arrin t’i marrë fluturimthi. Por Holdeni është një rebel, një njeri jo social, një Huckleberry Finn. Holdenit nuk i pëlqen të bëjë Pazar, nuk beson tek ushtria, as te karriera apo martesa. A mos ndoshta është komunist? Asnjë rrezik i tillë. Holdenit nuk i pëlqejnë as marksistët. I pëlqen intimiteti, është shumë borgjez.

Në libër nuk ka të varfër që ngrenë krye, nuk ka as skllevër në plantacione dhe as sfond kapitalist. Por si shpjegohet atëherë suksesi i pabesueshëm që pati libri? Mbi të gjitha, bëhej fjalë për një mrekulli letrare: Salinger (një autodidakt) kishte inovuar realizmin amerikan duke zgjeruar dialogjet, duke demokratizuar zhargonin duke i dhënë historisë një ritëm muzikor dhe një sens humori ala Mark Twain dhe Ring Lardner.

Por mbi të gjitha Holdeni është simpatik. Anna Freud, vajza e Sigmund Freud që punoi për dhjetëra vite si psikanaliste me adoleshentët, ka treguar jo pa trishtim se Holdeni ishte personi që pacientët e saj të vegjël e konsideronin si mikun ideal. Në të vërtetë edhe asaj i dukej personazh simpatik, edhe pse gjente tek ai tendenca narciste. Por dihet tashmë, që familja Freud gjithmonë kërkon qimen në kashtë. U zbulua se të rinjtë e lexonin që 13 vjeç, ishte libri më i kërkuar në biblioteka dhe më i vjedhur në librari.

Vit pas viti, fillimisht në Amerikë e më pas gradualisht në të gjithë botën, Holden Caulfield u bë simboli i adoleshencës, ose më mirë ta themi simbol i kalimit të dhimbshëm nga adoleshenca në një moshë të rritur, të cilën protagonisti as nuk donte ta arrinte. Dhe këtu historia e autorit dhe e heroit të tij të letrave nisën të shkriheshin me njëra-tjetrën dhe miti filloi të merrte formë.

Në zenit të suksesit jo vetëm letrar por edhe tregtar sepse u shitën miliona kopje të librit, J. D. Salinger bëri atë që Holdeni do të donte të bënte: u tërhoq në fshat, preu lidhjet me botën materiale, përqafoi njëra pas tjetrës filozofi dhe fe orientale, u bë ithtar i makrobiotikës dhe i një stili jetese të kursyer. Shkroi, por e bëri vetëm për vete, duke shmangur tregun.

Më pas erdhi viti 1980, ku në New York një djalë obez dhe i çekulibruar priti gjithë ditën John Lennonin përpara të famshmit Dakota Hotel. Në mëngjes i kërkoi një autograf dhe e mori. Në mbrëmje, kur ai dhe Yoko Ono u kthyen, e qëlloi me pesë plumba në shpinë dhe më pas u ul duke lexuar romanin. Quhej Mark Chapman, ndodhet në burg dhe ende sot thotë se vrasjen ia urdhëroi Holden Caulfield.

Prej atij momenti, libri u kthye në diçka tjetër. Salinger, i konsideruar në mënyrë absurde si një lloj mandatari për vrasjen (edhe pse në roman nuk ka asnjë paragraf ku nxitet dhuna), i preu të gjitha lidhjet me botën e kulturës dhe të botimeve, për të cilën gjithsesi asnjëherë nuk kishte shprehur simpati.

Po çelnin vitet tetëdhjetë, po zbehej ideja e një letërsie artizanale, të guximshme dhe naive për t’i bërë vend marketingut, privatësisë, shkollave të shkrimit krijues. Dekada u mbyll si mos më keq, kur ayatollah Khomeini i dha urdhër gjysmë miliardi ndjekësve të tij të vrisnin shkrimtarin Salman Rushdie, fajtor për ofendimin që i kishte bërë në një libër profetit Muhamed. Dhe në këtë atmosferë, edhe të rinjtë rreshtën së shkruari dhe lexuari libra në liri. Ishte një zanat që po bëhej i rrezikshëm.

Por ai çifti i çuditshëm amerikan, ai djali i letrave dhe autori i tij i heshtur, vazhduan të merrnin vëmendje dhe simpati. Prindërit ua kalonin pasionin fëmijëve. Romani në 30 vitet e fundit u fut në Azi duke u kthyer në objekt kulti edhe në Kinë. Në dhjetëra universitete, nga Malajzia deri në Australi duke përfshirë edhe Iranin, Holden është më popullor edhe se Lolita. Në këto universitete shkruhen studime, bëhen lëvrime psikoanalitike, budiste dhe filozofike, në një kohë kur të tjerë janë marrë me heshtjen misterioze gjysmëshekullore të autorit.

Cilat kanë qenë shkaqet e vërtetë të hermetizmit? Vitin e kaluar djali i tij Matt tha se babai nuk rreshti kurrë së shkruari dhe se ai vetë po sistemon një sasi të jashtëzakonshme materialesh, duke paralajmëruar se do të duhen vite deri sa të vihen gjërat në vijë. Përmendi gjithashtu se në shkrime nuk ka asgjë që i përket luftës. Të jetë e vërtetë?

Për të gjithë salingerianët në botë, do të ishte bukur që të mos ishte kështu. Jerome David Salinger u rekrutua në ushtri në vitin 1942, kur aspironte të bëhej shkrimtar dhe vinte nga një familje e mirë. Djali i Solit, një hebreu të pasur importues i mishit dhe djathit, dhe i Merit, një katolikeje skoceze të konvertuar në hebraike me emrin Miriam. Ushtari Salinger zbarkoi në Utah Beach në D-Day, sfiloi në Parisin e liruar, ishte prezent në betejën e Bulge, arriti në Bavari në prillin e vitit 1945 dhe mori pjesë në çlirimin e kampit të shfarrosjes në Dachau.

Një muaj më vonë, u shtrua në repartin psikiatrik të spitalit të Nurembergut. U kthye në Amerikë në vitin 1946, ku përfundoi së shkruari “Roje në thekërishten buzë greminës” në të cilin nuk flitet për luftën, ku autori, protagonisti dhe qytetet jetojnë jashtë kohës.

Kenneth Slawenski, i fundit prej biografëve të tij, është i bindur se brenda Salingerit diçka “u thye” pas tronditjes së pësuar, për ndjenjën e fajit, për adoleshentët dhe kufomat në Dachau, për hipokrizinë e fitimtarëve. Jeta e tij ishte dëshmi e një vuajtje të frikshme, aq të madhe sa ishte e pamundur ta tregonte.

Këtë e kishte nuhatur edhe nobelisti William Faulkner, i vetmi që përshëndeti botimin e “Rojes” si një punë të mrekullueshme. “Sipas meje, tragjedia e Holdenit nuk ishte pamundësia për të qenë i fortë, apo mungesa e kurajos, apo mungesa e meritave për t’u pranuar nga njerëzit. Tragjedia e tij ishte se kur kërkoi të bëhej pjesë e rracës njerëzore, nuk gjeti asgjë njerëzore.” Por Salinger me shkrimet e tij dhe akoma më shumë me heshtjen ndërtoi një mit se rraca njerëzore, ndoshta, një herë e një kohë ka ekzistuar./ Jerome David Salinger lindi më 1 janar 1919 dhe vdiq më 27 janar 2010. Romani i tij “Roje në thekërishtën buzë greminës” konsiderohet ndër klasikët e letërsisë amerikane, ndërsa prej vitit 1965 deri në 2010 Salinger nuk botoi më asgjë. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.