Aktualitet

Italiani Piero Angela jep intervistën që çdo politikan duhet ta lexojë. Pse nuk ndëshkohen të këqinjtë dhe çfarë ndodh me të mirët

“Nuk ka më ndëshkime për ata që gabojnë dhe nuk ka më shpërblime për ata që i meritojnë. Një shtet i tillë nuk mund të funksionojë, është një shtet i vdekur”, thotë Piero Angela me kompetencën e një gazetari që e bëri shkencën të prekshme për çdo familje italiane, por edhe për ata shqiptarë që e ndiqnin me kërshëri përtej Adriatikut. Pas gjysmë shekulli në ekran, duke analizuar Italinë ai jep mesazhe të rëndësishme për politikën, meritokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit.

Kur sapo kishte lindur, mamia që e mbajti në krahë parashikoi: “Do të bëhet inxhinier”. Por në tetëdhjetë e nëntë vitet që kaluan prej atëherë, Piero Angela hapi një dritare në shtëpinë e çdo italiani që dëshironte të përballej me universin e shkencës, duke i treguar telespektatorëve sa për dinosaurët, aq edhe për thërrmijat elementare; sa për mësuesin Alberto Manzi aq edhe për romanet me aventura të Emilio Salgarit. E nga kjo përfituan jo pak edhe shqiptarët, që nëpërmjet emisioneve të tij në Rai arritën të mbysnin monotoninë e viteve më të vështira për ta, duke kuptuar shkencën përtej dogmës.

Deri dhjetë vite më parë ai dëgjohej me habinë dhe frymëzimin që shkakton fjala e një kompetenti. Më pas u përhap ideja se mjaftonte një kërkim në Google për të kontestuar të vërtetën. “Dikur në lokalet e provincave, disa personave që kishin ide të çuditshme për kozmosin, u mbyllej goja menjëherë. Tani në internet gjithkush mund të përballet me një çmim Nobel. Kur më akuzuan se nuk u dhashë zë mjekëve omeopatë në një program ku vija në dyshim efikasitetin e mjekësisë alternative, u mbrojta duke thënë se shpejtësia e dritës nuk mund të matet me një ngritje dore, se nuk mund të vihen në të njëjtin rrafsh si e vërteta e certifikuar ashtu edhe ajo e supozuar, se në këtë fushë nuk vlen rregulli i barazisë: nuk është si në politikë, sepse shkenca nuk është demokratike”.

Kur ishit i vogël, a ëndërronit të bënit atë që keni bërë?

Kur unë isha fëmijë, televizioni nuk ekzistonte ende. As që e kisha idenë se çfarë mund të isha bërë. Por gjithsesi mbaj mend se prindërit më dhuruan një enciklopedi shkencore. Gjithmonë lexoja pjesët ku shpjegoheshin “pse”-të. Kisha dëshirën e madhe për të ditur se pse ndodhin disa gjëra.

Cilët kanë qenë mësuesit tuaj?

Në shkollë mërzitesha shumë. Ka qenë një prift, në klasë të katërt e të pestë, vetëm ai më magjepste. Quhej Don Ughetti. Vinte në klasë me instrumentat e tij dhe bënte eksperimente që na linin me gojë hapur. Është i vetmi që më ka mbetur në mendje.

Po adoleshenca?

Jetoja në Torino, ndërsa jashtë zhvillohej Lufta e Dytë Botërore. Çdo ditë, rreth mesnatës, binin sirenat e alarmit. Sapo i dëgjonim, vraponim drejt bodrumeve që kishim ndërtuar poshtë shtëpisë. Dridheshim nga frika. Por ishte edhe një atmosferë e çuditshme familjare. Qëndruam aty deri kur bombardimet nuk u bënë shumë të shpeshta. Më vonë, në nëntor të ‘42-shit u transferuam në San Maurizio Canavese ku im atë drejtonte një klinikë psikiatrike.

Shkoi më mirë atje?

Babai im strehonte pa fund hebrenj dhe të kërkuar politikë. Arriti të shpëtonte shumë syresh. Një ditë, kur po kthehesha nga shkolla, pashë pranë derës së klinikës kufomat e tre burrave. Sapo i kishin vrarë fashistët. I katërti, që ishte im atë, shpëtoi falë një zyrtari fashist që po kurohej tek ai, i cili bindi skuadrën e pushkatimit që të mos qëllonte mbi të.

Si e zbuluat gazetarinë?

[caption id="attachment_178826" align="alignleft" width="418"]Piero Angela në fillimet e gazetarisë. Piero Angela në fillimet e gazetarisë.[/caption]

Pasi studiova për dy vite inxhinierinë, ndryshe nga sa profetizoi mamia, nisa të studioja pianon. Fillimisht muzikën klasike, më pas xhazin. E dashuroja. Kompozoja kolona zanore për dokumentarët, deri në çastin kur një miku im më kërkoi të bashkëpunonim për një program mbi historinë e xhazit në Rai. Kështu filloi. Bëhet fjalë për filialin e Rait në Torino. Aty punonin Umberto Eco, Furio Colombo, Gianni Vattimo, ndërsa unë isha në radio. Më kërkuan që të mbaja një mikrofon në dorë, megjithëse kisha bindjen se ajo gjë nuk më shkonte për shtat. Por prova shkoi mirë dhe për tetë vite bashkëpunova si i jashtëm. Më pas më dërguan si zëvendësues në zyrën e Parisit, ku mbeta për nëntë vite.

"Më shumë se i fortë, në politikë duhet një njeri me prestigj, i aftë të gjejë konsensusin për të bërë ato gjëra që nuk janë bërë kurrë."

Çfarë mbani mend nga ajo kohë?

Francën grindavece, ku për të vënë rregull u thirr gjenerali De Gaulle. Qeveritë rrëzoheshin njëra pas tjetrës. Sistemi politik ishte i dërrmuar. Gjenerali, megjithë frikën që ekzistonte në ato anë për vendosjen e një fryme autoritare, imponoi një reformë institucionale që i dha stabilitet Francës.

Duket si përshkrimi i Italisë sot. Edhe ne kemi nevojë për një burrë të fortë?

Më shumë se i fortë, në politikë duhet një njeri me prestigj, i aftë të gjejë konsensusin për të bërë ato gjëra që nuk janë bërë kurrë. Por njeriu i fortë këtu te ne evokon një eksperiencë të keqe. Ndaj do të ishte më mirë krijimi i një sistemi që siguron stabilitetin e qeverisë.

A ka Italia energji për t’u ringritur?

Italia është si gjiganti Guliver, i lidhur me mijëra litarë që e paralizojnë totalisht. Në periudhën e pasluftës, çdo ditë vije re një përmirësim. Shtëpitë rikonstruktoheshin, ndërtoheshin rrugë, kishim një sallon ndërkombëtar, lindnin gjëra të reja. Jeta vazhdonte. Ndryshe nga atëherë, sot çdo ditë zhduket diçka. Po varfërohemi dhe italianëve u ka humbur shpresa nga degradimi. Nuk shohin asnjë rrugëdalje, janë nervozë dhe ushqejnë inat. Janë të lodhur nga një vend që ka ndalur.

Ç’mund të bëjë politika?

Në gjithë historinë e njerëzimit, politika nuk ka krijuar kurrë pasuri. Revolucioni industrial ishte produkt i teknologjisë. As mrekullia ekonomike e Italisë së viteve ’60 nuk ishte meritë e Kristianë Demokratëve. Inovacioni, kërkimi, kompetenca, talenti, kreativiteti dhe arsimi janë ato që krijojnë vlerë të shtuar. Italia këtë gjë nuk e bën prej pesëmbëdhjetë vitesh. Sistemi ynë po mendon vetëm se si të bllokojë energjitë produktive.

"Inovacioni, kërkimi, kompetenca, talenti, kreativiteti dhe arsimi janë ato që krijojnë vlerë të shtuar."

Po vetë italianët a kanë përgjegjësi?

Kur isha fëmijë, nuk më folën kurrë për të drejtat e mia. Kisha vetëm detyra, të cilat nëse i kryeja më shpërblenin. Në të kundërt, më ndëshkonin. Sot në Itali – në familje, në shkollë, në shoqëri – të gjithë duan gjithçka. Askush nuk brumoset me idenë se përpara se të kesh diçka, duhet të ofrosh një tjetër gjë në shkëmbim.

Epo atëherë problemi është më serioz.

Problemi i Italisë është një problem moral që nuk mund të zgjidhet brenda pesë minutave. Sot çdo ditë lexojmë për raste korrupsioni. Nuk janë vetëm politikanë, zyrtarë, kriminelë: janë edhe avokatë, gjyqtarë, njerëz të policisë, punonjës të administratës që vjedhin shtetin për të cilin punojnë. Nuk ka më ndëshkime për ata që gabojnë dhe nuk ka më shpërblime për ata që i meritojnë. Një shtet i tillë nuk mund të funksionojë, është një shtet i vdekur.

Por edhe ju jeni akuzuar se keni ndërhyrë për djalin tuaj Alberto.

[caption id="attachment_178827" align="alignright" width="335"] Me djalin, Alberto.[/caption]

Alberto është diplomuar me 110 pikë. Ka studiuar në Harvard, në Columbia, në Berkley, në Francë. Ka bërë kërkime në terren dhe ka drejtuar një program në Zvicër. Kur më propozuan që ta marr, refuzova sepse e dija që do të më akuzonin për nepotizëm. Por këmbëngulën dhe u binda se nuk mund të bëja një diskriminim edhe më të madh. Alberto është vërtetë i zoti. Këtë e tregon suksesi i programeve që realizon dhe i librave që shkruan. Por megjithatë as unë dhe as ai nuk jemi të punësuar nga Rai. Kemi kontrata sezonale dhe gjykohemi në bazë të rezultateve që marrin. Kështu duhet të jetë edhe në fusha të tjera./Tiranapost.al

Intervista është realizuar nga gazetari Nicola Mirenzi në Huffington Post dhe është shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al